Udhëheqësi i Koresë së Veriut hap një resort luksoz në Wonsan, i disponueshëm vetëm për turistët vendas
Në disa skena sureale nga Koreja e Veriut, shihet udhëheqësi Kim Jong-un teksa viziton një resort bregdetar, të quajtur Wonsan Kalma, që është ndërtuar rishtas në vend.
Ky ishte një nga projektet që autoritetet e Phenianit e paraqesin si një hap kyç në zhvillimin e industrisë së turizmit vendas, me ambicie që përfshijnë mbërritjen e mysafirëve të huaj në të ardhmen.
Kim, i cili për këtë rast hoqi xhaketën e tij karakteristike ushtarake dhe veshi një kostum të errët me një këmishë të bardhë dhe një kravatë ngjyrë rëre, e quajti vendpushimin "një nga arritjet më të mëdha të vitit", raportoi agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.
Në një atmosferë të qetë, me një cigare, një pije freskuese dhe një peshqir pranë pishinës, Kim ndiqte atmosferën përreth kompleksit në shoqërinë e vajzës së tij Kim Ju-ae, e cila spekulohet gjithnjë e më shumë si pasardhësja e tij, dhe gruas së tij Ri Sol-ju.
Në sfond, turistët vendas po shijonin atraksionet ujore, ndërsa britma dhe të qeshura jehonin poshtë rrëshqitëseve. Resorti, i vendosur në bregdetin lindor të vendit, ofron një gamë të gjerë ambientesh sportive dhe rekreative, si dhe shërbime tregtare dhe mikpritjeje, tha KCNA.
Kim shprehu besim se "valët e lumturisë që do të përhapen nëpër këtë parajsë bregdetare do ta forcojnë më tej atraktivitetin e saj si një qendër turistike dhe kulturore me famë botërore".
Edhe pse kompleksi hapet zyrtarisht më 1 korrik dhe autoritetet e Koresë së Veriut presin deri në 20,000 vizitorë në vit, për momentin ai do të jetë në dispozicion vetëm për popullsinë vendase.
Turistët e huaj, për momentin, nuk do të jenë në gjendje të përjetojnë pushimet verore të drejtuara nga Pheniani, pasi kufizimet e futura gjatë pandemisë janë ende në fuqi. (A2 Televizion)