Khamenei: Irani i dha një shuplakë të fortë SHBA-së

Nga A2 CNN
26 Qershor 2025, 14:55 | Bota

Khamenei: Irani i dha një shuplakë të fortë SHBA-së

Udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, ka shpallur “fitore” ndaj Izraelit në mesazhin e tij të parë publik që kur hyri në fuqi dy ditë më parë armëpushimi i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

Khamenei, 86-vjeçar, kryesisht qëndroi larg syrit të publikut gjatë luftës 12-ditore të shtetit të tij me Izraelit, duke lëshuar vetëm dy video-mesazhe. Mesazhi i dytë i lëshuar më 19 qershor gjerësisht besohet se ishte incizuar në një bunker, duke marrë parasysh kualitetin e dobët të videos.

Në video-mesazhin e ri, që qartësisht kishte një kualitet më të mirë të zërit sesa videoja paraprake, Khamenei përgëzoi iranianët për atë që e quajti “fitore ndaj regjimit të rremë sionist”, duke thënë se Izraeli “është gjymtuar dhe shtypur nga goditjet e Republikës Islamike”.

Duke iu referuar sulmeve ajrore amerikane ndaj ndërtesave bërthamore të Iranit, ai tha se “amerikanët nuk mundën të bënin asgjë të rëndësishme”, duke akuzuar SHBA-në se ka “ekzagjeruar” dëmin e shkaktuar “për të fshehur të vërtetën”.

Zyrtarët amerikanë kanë folur për “dëme monumentale” të shkaktuara ndaj ndërtesave kryesore bërthamore të Iranit. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se sulmet “kanë shkatërruar” programin bërthamor të Iranit.

Përderisa një raport preliminar i inteligjencës amerikane ka hedhur dyshime mbi shkallën e dëmit ndaj tre ndërtesave kryesore bërthamore të Teheranit, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore ka thënë se bombardimet amerikane me gjasë kanë shkaktuar “dëm të konsiderueshëm” në centralin për pasurimin të uraniumit në Fordo, që gjendet nën një mal në pjesën qendrore të Iranit.

Disa analistë kanë thënë se mungesa e shfaqjes së Khameneit sinjalizoi një pasiguri të paprecedent për të ardhmen e udhëheqjes së Iranit, duke nxitur spekulime lidhur me stabilitetin e brendshëm të vendit dhe rrezikun për pasoja më të gjera në Lindjen e Mesme.

Irani ka arritur të kryejë sulme të fuqishme hakmarrëse që kanë vrarë më shumë se 20 persona, sipas zyrtarëve izraelitë. Por, Izraeli ka vrarë dhjetëra zyrtarë të lartë ushtarakë iranianë dhe shkencëtarë bërthamorë. Po ashtu, Izraeli ka goditur shumë objekte kryesore ushtarake. Autoritetet iraniane kanë thënë se më shumë se 600 persona janë vrarë nga sulmet izraelite. Këto shifra nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Pavarësisht numrit të lartë të vdekjeve të raportuara në Iran, udhëheqësi suprem insistoi se Irani ka shënuar fitore të madhe ndaj SHBA-së, duke pretenduar se amerikanët iu bashkuan konfliktit për të ndihmuar që Izraeli të shpëtojë.

Ai tha se SHBA-ja “nuk fitoi asgjë nga kjo luftë”, duke pretenduar se sulmet hakmarrëse të Iranit ndaj bazës ajrore Al Udeid në Katar ishin “një shuplakë e fortë”.

Khamenei po ashtu foli për thirrjen e presidentit Trump që Irani “të dorëzohet pa kushte” – teksa lufta ende po vazhdonte – duke thënë se Irani “kurrë” nuk do të dorëzohet.

Ai tha se kërkesat e Trumpit tregojnë se “armiqtë” e Iranit e përdorin programin e tij bërthamor dhe të raketave si “arsyetim” që ta detyrojnë Teheranin që të dorëzohet./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos