Surpriza në zgjedhjet franceze, Melenchon kërkon qeverinë, Macron reziston dhe Le Pen e treta

Nga A2 CNN
8 Korrik 2024, 10:52 | Bota

Të majtët zgjuan “Republikën” në Francë. Fronti i ri Popullor, aleanca e së majtës që u formua për të kundërshtuar euforinë e Frontit Kombëtar në raundin e dytë të votimeve, ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Asamblenë Kombëtare, me 182 të tilla nga 577 që janë në total.

Grupi politik i qendrës që mbështet presidentin Emmanuel Macron prodhoi vetëm 168 deputetë, ndërsa Marinë Le Pen me partinë e saj të ekstremit të djathtë u rendit e treta me 143 ligjvënës. Lideri i të majtëve, Jean-Luc Melenchon, kërkon të drejtën për të formuar qeverinë e re dhe njofton se brenda javës do të paraqitet emri i kryeministrit.

“Tani vullneti i popullit duhet respektuar rreptësisht. Që tani e tutje, asnjë truk, marrëveshje apo kombinime paszgjedhore nuk do të ishin të pranueshme. Mësimi që duhet marrë nga votimi është përfundimtar. Humbja e presidentit dhe koalicionit të tij është konfirmuar me qartësi. Presidenti duhet të dorëzohet dhe ta pranojë këtë disfatë pa u përpjekur ta kapërcejë atë në asnjë mënyrë”, tha Melenchon.

Nga partia e Le Pen akuzojnë forcat e tjera politike dhe presidentin Macron për manipulime me sistemin zgjedhor duke bërë që sipas tyre, triumfi në votime vetëm të shtyhet për pak vite.

“Fatkeqësisht, aleanca e çnderimit dhe aranzhimet e rrezikshme zgjedhore të bëra nga Emmanuel Macron dhe Gabriel Attal me formacionet e majta ekstreme po i privojnë popullit francez një politikë rimëkëmbjeje, të cilën ata e përkrahën në masë dërrmuese, duke na vënë në krye në zgjedhjet evropiane”, deklaroi Bardella.

Kryeministri francez, Gabriel Attal, njoftoi dorëheqjen pas humbjes. Analistët mendojnë se qeveria e re mund të formohet me një orientim drejt qendrës, por nuk përjashtohet që mund të ketë dhe ngërç politik.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos