Marina ruse është vënë në lëvizje pas humbjes së bazave të saj në Mesdhe dhe Krime. Burime për mediat gjermane bëjnë me dije se ushtria ruse po teston aftësitë mbrojtëse të Flotës së Paqësorit.
Agjencia ruse e lajmeve Tass njofton se së shpejti do të ketë një stërvitje luftarake në det. Pjesë e kësaj stërvitje do të jenë dy korveta ruse dhe një cisternë detare po përgatiten për stërvitje luftarake në rajonin Azi-Paqësor. Kjo u raportua nga agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti.
Stërvitjet përfshijnë, ndër të tjera, kërkimin e nëndetëseve të një armiku të simuluar dhe shkatërrimin e tyre, si dhe mbrojtjen ajrore në det, citon RIA të ketë thënë shërbimi për shtyp.
Marina ruse kohët e fundit ka pësuar disa pengesa strategjike. Flota e famshme e Detit të Zi duhej të linte bazat e saj në Krimenë e aneksuar në vjeshtën e 2023 pasi baza u sulmua disa herë nga Ukraina. Me ndryshimin e pushtetit në Siri, Rusia humbi edhe Tartusin, bazën e saj të vetme detare në Mesdhe, si rrjedhojë analistët ushtarakë besojnë se Rusia po teston ujrat e ngrohta të Paqësorit në kërkim të një tjetër baze detare.
Sakaq, kryeministri britanik Keir Starmer planifikon t'u bëjë thirrje krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së që të mbajnë një qëndrim të bashkuar kundër Rusisë. "Unë jam këtu për të punuar me partnerët tanë evropianë për të mbajtur presionin dhe për të synuar të ardhurat e energjisë dhe kompanitë që furnizojnë fabrikat ruse të raketave për të çmontuar makinën luftarake të Putinit".
Kjo është hera e parë që nga periudha e Brexit që një kryetar i qeverisë britanike e bën këtë deklaratë. Qëllimi i vizitës së tij është, mbi të gjitha, të avancojë përpjekjet e Britanisë për të riorientuar marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian (BE).
Reagimi i Starmer vjen në momentin kur Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë mbledhur në Bruksel për të diskutuar se si të forcohet mbrojtja e kontinentit kundër Rusisë dhe si të trajtohet presidenti amerikan Donald Trump pas vendimit të tij për të vendosur tarifa për mallrat nga Kanadaja, Meksika dhe Kina.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka bërë të ditur se objektivi që pritet të diskutohet në takimin e Brukselit është arritja e një marrëveshje për të rritur shpenzimet e mbrojtjes së BE. (A2 Televizion)