Tarifa ndaj Seulit, Trump ndëshkon Indinë për partneritetin me Rusinë

Nga Erjon Dervishi
31 Korrik 2025, 10:27 | Bota

Aleatët e vjetër amerikanë janë vënë nën shënjestrën amerikane të tarifave. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë të ditur se do të vendosë të paktën 25 përqind tarifa ndaj Indisë për marrëdhëniet e saj tregtare me Rusinë. India ka blerë një pjesë të madhe të pajisjeve të saj ushtarake nga Rusia dhe, së bashku me Kinën, është blerësi më i madh i energjisë ruse, deklaroi Trump në platformën e tij Truth Social. Kjo po ndodh në një kohë kur e gjithë bota dëshiron që Rusia të ndalojë vrasjet në Ukrainë. Për më tepër, tarifat e Indisë janë shumë të larta.

"Nuk më intereson çfarë i bën India Rusisë. Për sa më përket mua, ata mund t'i shkatërrojnë ekonomitë e tyre të vdekura së bashku", shkroi Trump në Truth Social.

"Ne kemi bërë shumë pak tregti me Indinë, tarifat e tyre janë shumë të larta, ndër më të lartat në botë. Po kështu, Rusia dhe SHBA-të pothuajse nuk bëjnë asnjë tregti me njëra-tjetrën. Le ta lëmë me kaq".

Këtë bindje Trump e konfirmoi edhe në një konferencë për mediat.

“Ne po negociojmë tani. Dhe është gjithashtu BRICS. Ata kanë BRICS, që në thelb është një grup vendesh që janë kundër Shteteve të Bashkuara, dhe India është anëtare e saj, a mund ta besoni këtë gjë. Është një sulm ndaj dollarit, dhe ne nuk do të lejojmë askënd të sulmojë dollarin. Pra, është pjesërisht BRICS dhe është pjesërisht situata tregtare, është deficiti. Kemi një deficit të jashtëzakonshëm. Dhe siç e dini, Kryeministri indian është mik i imi, por ata nuk bëjnë shumë biznes me ne. Ata na shesin shumë, por ne nuk blejmë prej tyre. E dini pse? Për shkak se tarifa është kaq e lartë, ata kanë një nga tarifat më të larta në botë. Tani ata janë të gatshëm ta ulin atë shumë ndjeshëm. Por do të shohim çfarë ndodh, po flasim me Indinë tani”, deklaroi Donald Trump, President i SHBA-së.

Presidenti Donald Trump bëri të ditur se SHBA-të do të vendosin një tarifë prej 15% për importet nga Koreja e Jugut, si pjesë e një marrëveshjeje që lehtëson tensionet me një partner tregtar kryesor në 10 vendet e para dhe aleat kyç aziatik. Importet nga Koreja e Jugut, një eksportues i fuqishëm i çipave kompjuterikë, makinave dhe çelikut, u përballën me një normë prej 25% para marrëveshjes së minutës së fundit të së mërkurës.

Negociatat ishin një provë e hershme për Presidentin e Koresë së Jugut Lee Jae Myung, i cili mori detyrën në qershor pas zgjedhjeve të parakohshme. Ai tha se marrëveshja kishte eliminuar pasigurinë në mjedisin e eksportit dhe kishte vendosur tarifat e SHBA-së më të ulëta ose në të njëjtin nivel me konkurrentët kryesorë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos