
Gjykata e Krimeve të Rënda në Romë ka dënuar me burgim të përjetshëm Mark Antony Samson, 24-vjeçarin me origjinë italo-filipinase, për vrasjen e ish-të dashurës së tij, 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, në mars të vitit 2025.
Vendimi u shpall këtë të martë, më 27 tetor, për një krim që tronditi opinionin publik italian. Ilaria Sula ishte studente e statistikës në Universitetin La Sapienza të Romës dhe kishte lindur në rajonin e Umbrias.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, Samson u shpall fajtor për vrasje me rrethana rënduese, përfshirë paramendimin, si dhe për fshehjen e kufomës.
Sipas hetimeve, i riu e goditi për vdekje me thikë ish-partneren e tij, përpara se ta fuste trupin e saj në një qese dhe ta hidhte në një humnerë në zonën e Capranica Prenestina, në rrethinat e Romës, në përpjekje për të fshehur krimin.
Trupi i pajetë i 22-vjeçares u gjet më 2 prill 2025, disa ditë pas vrasjes. Gjatë marrjes në pyetje nga policia, në prill të vitit 2025, Samson pranoi autorësinë e krimit, duke deklaruar se nuk arrinte të shpjegonte se çfarë kishte ndodhur në ato momente.
Pas shpalljes së vendimit, babai i viktimës, Flamur Sula, u shpreh se drejtësia ishte vënë në vend, por dhimbja e familjes do të mbetet e përjetshme.
“Drejtësia u bë, por burgimin e përjetshëm të vërtetë e kemi ne, unë dhe bashkëshortja ime. Ai ende merr frymë, ndërsa vajza ime nuk merr më frymë. Ky është një moment i rëndësishëm për drejtësinë. Unë gjithmonë kam pasur besim te drejtësia dhe nuk jam braktisur”, deklaroi ai. (A2 Televizion)