Nga janari i vitit 2021 bizneset me xhiro deri 10 milionë lekë në vit nuk kanë paguar TVSH. Premtimi ishte se një lehtësi e tillë do të mbetej në fuqi deri në 2029-ën. Por qeveria ka vendosur të bëjë një hap pas, duke e ulur pragun nga 10 milionë në 5 milionë lekë në vit. Nga 1 janari i 2027-ës, të gjitha bizneset me xhiro mbi 5 milionë lekë do të paguajnë TVSH-në, e parashikuar tanimë prej 21%.
“Efekti neto është mbi 10 miliardë lekë të ardhura shtesë në vit, pjesa më e madhe e të cilave do të paguhej nga biznesi. Për ndryshimet në tatimin mbi pagat nuk është bërë publik asnjë vlerësim. Kjo paketë vjen në momentin më të gabuar. Karburantet po shtrenjtohen, kostot e prodhimit mbeten të larta dhe rënia e euros po gërryen të ardhurat e eksportuesve dhe të turizmit. Ekonomia ka nevojë për një paketë fiskale nxitëse, jo për barrë të re”, deklaron Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.
Barrë e rritur fiskale dhe për bizneset e mëdha me xhiro mbi 14 milionë lekë. Tatimi mbi të ardhurat për korporatat apo thënë më thjeshtë, tatimi mbi fitimin, nga 15% aktualisht shkon në 17 për qind prej vitit që vjen.
“Paketa e re fiskale pritet të rrisë barrën tatimore për bizneset, duke lënë më pak fonde për investime dhe duke shtuar presionin mbi çmimet. Ulja e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë qarkullim vjetor do të përfshinte më shumë biznese të vogla në këtë skemë, duke u shtuar detyrimet për deklarim dhe administrim. Zëri i sipërmarrjes duhet të dëgjohet përpara çdo vendimmarrjeje me karakter ekonomik.”
Nëse miratohen, ndryshimet do të pakësonin fitimin pas tatimit dhe fondet për investime e modernizim të prodhimit. Rritja e TVSH-së mund të ushtrojë presion mbi çmimet ose marzhet e fitimit, duke rrezikuar kërkesën dhe konkurrueshmërinë, veçanërisht në turizëm. (A2 Televizion)