Armët u ulën dhe tryeza e negociatave u rikthye. Presidenti amerikan, Donald Trump, bëri me dije se ekipi i tij do të zhvillojë bisedime të rëndësishme me Iranin gjatë pasdites së sotme. Gjithashtu, ai sqaroi pse anuloi sulmin e madh të paralajmëruar më herët, një veprim që ka irrituar aleatin Izrael, i cili pretendon se është lënë në terr informativ nga Uashingtoni.
“Më kërkuan Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Irani. Ne ishim të gatshëm ta bënim atë dhe do të kishte qenë një sulm masiv. Ne ishim gati. Por kur aleatët të kërkojnë ta anulosh, duhet të thuash: ‘Epo, le ta shohim’. Dhe arsyeja pse ata e kërkojnë këtë është se mendoj se ka një marrëveshje. Ka një marrëveshje për Hormuzin dhe më pas do të ketë një marrëveshje për programin bërthamor... ose mund ta quani denuklearizim të Iranit.”
Megjithatë, nga Irani vjen një version tjetër. “Për momentin nuk ka negociata me Shtetet e Bashkuara”, konfirmoi Ministria e Jashtme në Teheran.
Mediat iraniane shkojnë edhe më tej, duke raportuar se nuk ka asnjë marrëveshje mes Republikës Islamike dhe Shteteve të Bashkuara për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
“Lajmet e publikuara janë të rreme. Përderisa do të vazhdojnë veprimet armiqësore amerikane, Hormuzi do të mbetet i mbyllur dhe kalimi i mjeteve do të jetë i mundur vetëm përmes rrugëve detare të njoftuara dhe vetëm me autorizimin e Marinës së Gardës Revolucionare”, sqaron një burim qeveritar për median FARS. (A2 Televizion)