
Katër persona janë ndaluar nga policia në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje në mbrëmje në Palasë, ku u qëllua me armë zjarri nga një jaht.
Në një njoftim për mediat, “blutë” bëjnë me dije se kanë kapur jahtin nga ku është qëlluar dhe janë shoqëruar 4 personat që ndodheshin në bord, . C., 31 vjeç, L. H., 31 vjeç, A. K., 49 vjeç dhe P. Gj., 60 vjeç.
Gazetari Edi Ruçi raporton se të arrestuarit janë shtetasit Leonard Hasa, Bruno Çela, Afrim Kastrati dhe Pashk Gjini. Sipas gazetarit në jaht nuk janë gjetur arma dhe gëzhojat dhe ka dyshime se mund të jenë hedhur në det.
Operacioni për kapjen e jahtit zgjati për afro dy orë dhe në të u angazhuan Policia Kufitare, së bashku me Delta Force dhe FNSH-në.
"Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forcë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë/Stacionit të Policisë Dhërmi, si dhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS), u vunë në ndjekje të mjetit lundrues nga deti dhe toka, pasi jahti po lëvizte në drejtim të Himarës. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u bë e mundur ndalimi i jahtit në det, përballë Himarës, si dhe shoqërimi i tij së bashku me personat që ndodheshin në bord, konkretisht shtetasit B. C., 31 vjeç, L. H., 31 vjeç, A. K., 49 vjeç dhe P. Gj., 60 vjeç.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga Komisariati i Policisë Himarë, nën drejtimin e Prokurorisë, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në ambientet e jahtit dhe ndaj personave që ndodheshin në bord, ku nuk u konstatua asnjë send apo mjet i kundërligjshëm. Nga grupi hetimor vijuan veprimet e mëtejshme procedurale, duke marrë deklarime në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, si dhe duke kryer ekspertimet për përcaktimin e faktorëve plotësues të qitjes. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, verifikimin e informacionit të marrë dhe dokumentimin ligjor të këtij rasti".
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)