
Një mision i Bashkimit Europian, i drejtuar nga Italia, ka hipur të dielën në bordin e një cisterne të dyshuar si pjesë e të ashtuquajturës “flotës hije” të Rusisë, për të verifikuar kombësinë dhe regjistrimin e flamurit të anijes.
Ministria italiane e Mbrojtjes bëri të ditur se anija “Toa Payoh”, e cila është nën sanksione të BE-së dhe lundronte nën flamurin e Kamerunit, u pikas në Detin Mesdhe, në perëndim të ishullit italian Pantelleria. Cisterna po udhëtonte nga Benini drejt Stambollit.
Sipas autoriteteve italiane, kapiteni i anijes fillimisht nuk bashkëpunoi me ekipin e kontrollit. Për këtë arsye, një grup ushtarakësh italianë hipi në bord nga një helikopter i nisur nga anija “Thaon di Revel”, e cila shërben si anije kryesore e operacionit europian EUNAVFOR MED Irini.
Kontrolli u krye me mbështetjen e një anijeje greke dhe një avioni polak të patrullimit detar. Inspektimi zgjati rreth dy orë dhe përfundoi pa incidente.
Nuk është bërë ende e qartë nëse cisterna është ndaluar gjatë kohës së verifikimeve. Autoritetet italiane kanë nisur shqyrtimin e dokumentacionit të marrë gjatë kontrollit.
Bashkimi Europian ka vendosur sanksione ndaj dhjetëra anijeve që i konsideron pjesë të “flotës hije” të përdorur nga Rusia për të anashkaluar kufizimet dhe sanksionet ndaj eksporteve të saj të naftës, të vendosura pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.
Operacioni EUNAVFOR MED Irini u krijua nga BE-ja në vitin 2020 me qëllim zbatimin e embargos së armëve të Kombeve të Bashkuara ndaj Libisë. Më vonë, mandati i misionit u zgjerua, duke i dhënë mundësi forcave europiane të kryejnë edhe kontrolle në bord të anijeve të dyshuara se lundrojnë nën flamuj të rremë. (A2 Televizion)