Tensionet në Lindjen e Mesme, Gjermania tërheq trupat dhe evakuon personelin nga Bagdadi

Nga A2 CNN
6 Mars 2026, 21:54 | Bota

Tensionet në Lindjen e Mesme, Gjermania tërheq trupat dhe evakuon

Gjermania ka nisur tërheqjen e trupave shtesë të Bundeswehr-it nga Lindja e Mesme, ndërsa një pjesë e personelit të ambasadës gjermane në Bagdad po transferohet në Jordani, për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në rajon.

Sipas Rrjetit RND, ushtarët gjermanë të stacionuar në Bagdad po tërhiqen së bashku me anëtarë të stafit të misionit diplomatik në kryeqytetin irakian. Qeveria federale gjermane i ka informuar më herët gjatë ditës kryetarët e komisioneve përkatëse të Bundestagut për këtë vendim, raportoi Reuters.

Ushtarët dhe personeli diplomatik do të transferohen në Jordani, ku janë vendosur dy avionë transporti ushtarak A400M, të cilët do të përdoren për riatdhesimin e tyre në Gjermani.

Ndërkohë, një pjesë e trupave të Bundeswehr-it janë kthyer tashmë në Gjermani nga Bahreini. Autoritetet gjermane po përgatisin gjithashtu tërheqjen e forcave nga Kuvajti dhe nga misioni paqeruajtës UNIFIL në Liban.

Gjatë fundjavës, sulmet iraniane shënjestruan kampe shumëkombëshe në Irakun verior dhe në Jordani, ku ndodhen edhe trupa të Bundeswehr-it. Para sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, më shumë se 500 ushtarë gjermanë shërbenin në misione në Lindjen e Mesme.

Në të njëjtën kohë, Zvicra ka vendosur ta mbajë të hapur ambasadën e saj në Teheran. Aktualisht, në ambasadë ndodhen gjashtë shtetas zviceranë dhe 18 punonjës vendas. Megjithatë, katër shtetas zviceranë janë larguar nga Irani të martën e kaluar.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos