Tragjedia e fundit e Ukrainës, oficerët në Pokrovsk: Logjistika e ushtrisë, në rrezik

Nga Erjon Dervishi
3 Shkurt 2025, 23:41 | Bota

Forcat e Ukrainës në Pokrovsk ndodhen në vështirësi të madhe. Faktet dhe dëshmitë vijnë nga ushtarët dhe oficerët e Ukrainës të cilët në prononcimet e ndryshme për Associated Press bëjnë me dije se ka një mungesë të madhe të trupave të këmbësorisë dhe rrugëve të furnizimit që vijnë si pasojë e sulmeve me drone ruse.

Trupat ukrainase po humbasin terren rreth qendrës kryesore të furnizimit, e cila shtrihet në bashkimin e autostradave të shumta që çojnë në qytetet kyçe në rajonin lindor të Donetskut, si dhe në një stacion të rëndësishëm hekurudhor, shkruan A2.

Moska është e vendosur të pushtojë sa më shumë territor që të jetë e mundur, pasi administrata Trump po shtyn për negociata për t'i dhënë fund luftës dhe së fundi ngriu ndihmën e huaj për Ukrainën, një veprim që ka tronditur zyrtarët ukrainas tashmë të shqetësuar për qëllimet e presidentit të ri të SHBA-së, më së shumti.

Ushtarët ukrainas në Pokrovsk thane për AP se forcat ruse ndryshuan taktika në javët e fundit, duke sulmuar krahët e tyre në vend që të shkonin ballë për ballë për të formuar një lëvizje uniforme rreth qytetit. Me rusët në kontroll të lartësive dominuese, rrugët e furnizimit të Ukrainës janë tani brenda rrezes së tyre. Mjegulla e rëndë ditët e fundit i pengoi ushtarët ukrainas të përdornin në mënyrë efektive dronët e vëzhgimit, duke lejuar rusët të konsolidohen dhe të marrin më shumë territor.

Ndërkohë, komandantët ukrainas thonë se nuk kanë rezerva të mjaftueshme për të mbështetur linjat e mbrojtjes dhe se njësitë e reja të këmbësorisë po dështojnë të kryejnë operacione. Shumë shpresojnë te Mykhailo Drapatyi, një komandant i respektuar i emëruar së fundmi nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy si shef i forcave tokësore, për të zhvendosur dinamikën dhe kundërsulmin.

“Luftën e fiton logjistika. Nëse nuk ka logjistikë, nuk ka këmbësori, se nuk ka si të furnizohet”, tha zëvendëskomandanti i batalionit “Ujqërit” e Da Vinçit. “(Rusët) e kanë mësuar këtë dhe po e bëjnë mjaft mirë”.

Ushtarët ukrainas në Pokrovsk thanë se mungesat e trupave luftarake janë "katastrofike" dhe sfidat shtohen nga njësitë e këmbësorisë të krijuara rishtazi që janë të trajnuara dobët dhe pa përvojë, duke ushtruar më shumë presion mbi brigadat e ngurtësuara nga beteja që duhet të ndërhyjnë për të stabilizuar vijën e parë.

Zv/komandanti ukrainas, u ankua se rekrutët e rinj “po zgjerojnë vazhdimisht vijën e frontit sepse largohen nga pozicionet e tyre, nuk i mbajnë, nuk i kontrollojnë, nuk i monitorojnë. Ne bëjmë pothuajse të gjithë punën për ta”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos