Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e së hënës në Austri, ku një kamion është përplasur ballë për ballë me një tren në një kalim hekurudhor pa barriera, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm dhe flakë të mëdha që përfshinë të dy mjetet.
16 persona morën ndihmë mjekësore, përfshirë shoferin e kamionit, i cili u plagos rëndë dhe u transportua me helikopter në spital. Në tren ishin 10 pasagjerë, tre prej të cilëve, përfshirë makinistin, pësuan lëndime të lehta, ndërsa të tjerët dolën të tronditur.
Zjarrfikësit ndërhynë me mbi 70 forca dhe 14 automjete për të shuar flakët, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit vazhdojnë. Autoritetet theksojnë se mungesa e barrierave dhe sinjalizimit automatik në kalimin hekurudhor është një faktor i rëndësishëm në këtë tragjedi. (A2 Televizion)