“I dërguari im i posaçëm, Steve Witkoff, sapo pati një takim shumë produktiv me Presidentin rus Vladimir Putin. Është arritur përparim i madh!”.
Ky ishte reagimi i Presidentit amerikan Donald Trump në Truth Social pas përfundimit të takimit vendimtar në Moskë.
“Më pas, i informova disa nga aleatët tanë evropianë. Të gjithë janë dakord se kjo luftë duhet të përfundojë dhe ne do të punojmë drejt kësaj në ditët dhe javët në vijim”, tha më tej presidenti i SHBA-së.
Dhe telefonatën e tij me liderët europianë, konkretisht udhëheqësit e Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Finlandës dhe shefin e NATO-s Mark Rutte, së bashku me presidentin e Ukrianës Volodymyr Zelensky e konfirmuan më pas burime nga Kievi për AFP-në.
Ndërkohë, New York Times duke cituar burime pranë administratës amerikane raporton se Trump dëshiron të takohet me Putinin javën e ardhshme dhe do të dëshiron që takimi të pasohet nga një samit trepalësh me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Dy samitet nuk pritet të përfshijnë asnjë udhëheqës evropian. Sakaq Zelensky në bisedën telefonike me Trump ka thënë se diskutuan “atë për të cilën u ra dakord në Moskë”.
"Gjatë kthimit nga brigadat tona këtu në rajonin Sumy, fola me Presidentin Trump. Biseda u zhvillua pas vizitës në Moskë të të dërguarit, Steve Witkoff. Udhëheqësit evropianë ishin të pranishëm në telefonatë dhe unë jam mirënjohës ndaj secilit prej tyre për mbështetjen e tyre. Qëndrimi ynë i përbashkët me partnerët tanë është absolutisht i qartë: lufta duhet të përfundojë", konfirmoi Zelensky me një postim në X. (A2 Televizion)