
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se bisedimet e reja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit do të nisin të hënën, pasi vendosi të anulojë atë që e cilësoi si një sulm ushtarak "masiv" ndaj Iranit.
Duke folur me gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One, Trump tha se kishte vendosur të mos autorizonte sulmet pas kërkesave të Iranit dhe aleatëve amerikanë në Lindjen e Mesme, të cilët besojnë se ekziston mundësia për një marrëveshje diplomatike.
"Po flasim me ta përmes negociatave. Bisedimet fillojnë nesër pasdite. Mendoj se ka një marrëveshje," u shpreh Trump.
Megjithatë, Ministria e Jashtme e Iranit mohoi se ka planifikuar të dërgojë një delegacion në SHBA ose të presë përfaqësues amerikanë në Teheran, duke theksuar se kontaktet e deritanishme janë zhvilluar vetëm përmes ndërmjetësve, shkruan A2CNN.
Sipas Trump, Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, si edhe udhëheqës të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Katarit, i kërkuan SHBA-së të mos ndërmerrte sulme gjatë fundjavës.
Presidenti amerikan deklaroi se operacioni ushtarak ishte gati për t'u zhvilluar dhe se do të ishte "sulmi më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore", por shtoi se nuk dëshiron të humbasin jetë njerëzish nëse ekziston mundësia për një zgjidhje diplomatike.
Pas njoftimit të Trump, çmimet e naftës në tregjet aziatike ranë ndjeshëm. Nafta Brent humbi rreth 4.5% të vlerës, ndërsa nafta amerikane u ul me 4.6%.
Tregjet reaguan pozitivisht ndaj shpresave për uljen e tensioneve në Ngushticën e Hormuzit, një korridor strategjik ku kalon rreth 20% e furnizimit botëror me naftë bruto dhe gaz natyror të lëngshëm (LNG).
Agjencia gjysmëzyrtare iraniane Mehr hodhi poshtë pretendimet e presidentit amerikan se Teherani kishte kërkuar pezullimin e sulmeve, duke i cilësuar ato si "një gënjeshtër të re".
(A2 Televizion)