Donald Trump është shpallur zyrtarisht kandidati i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai mori vota mjaftueshëm në Konventën Republikane, me delegacionin nga Florida që e vendosi në krye të listës. Trump zgjodhi gjithashtu edhe kandidatin e tij për zëvendëspresident, senatorin nga Ohajo, J.D Vance.
Në njoftimin përmes platformës së tij “Truth Social”, republikani thotë se 39-vjeçari ishte personi më i përshtatshëm për atë pozicion.
“I nderuari i ka shërbyer vendit tonë në Marinën Detare, u shkollua në Universitetin e Ohajos, më pas përfundoi Shkollën e Drejtësisë në Yale… Ai ka pasur një karrierë të suksesshme në biznes dhe teknologji, si dhe në financë”, ka shkruar Trump.
Republikani thotë se fokusi i punës së tij do të jetë tek punëtorët e thjeshtë amerikanë që punojnë fort për ndërtimin e Shteteve të Bashkuara.
J.D Vance u bë i njohur me librin e tij “Elegji Amerikane”, më i shiturit në vitin 2016, që tregon për një familje dhe një kulturë në krizë. Së fundmi ishte shndërruar në një mbështetës i zjarrtë i Trump. Vance e ka kritikuar Trumpin kur kandidoi 8 vite më parë, diçka që Demokratët do ta përdorin në fushatë. (A2 Televizion)