Amerika po fiton bindshëm ndaj Iranit. Këtë e konfirmoi vetë Presidenti Donald Trump, duke e quajtur sërish operacionin thjesht një ekskursion në ferr. Ai thumboi zyrtarët në Teheran lidhur me negociatat dhe i quan frikacakë që nuk i pranojnë.
“Ata po negociojnë, meqë ra fjala, dhe duan shumë të bëjnë një marrëveshje. Por, kanë frikë ta thonë sepse mendojnë se do të vriten nga populli i tyre. Ata kanë gjithashtu frikë se do të vriten nga ne. Nuk ka pasur kurrë më pak dëshirë se sa tani që dikush të jetë kreu i Iranit. Unë nuk dua psh. Do t'i dëgjojmë disa nga gjërat që thonë. Ata po thonë, ‘unë nuk e dua, por do të donim t'ju bënim ju udhëheqësin suprem të ardhshëm. Jo, faleminderit. Nuk e dua”, u shpreh Trump, shkruan A2.
Duke iu drejtuar Komitetit Kombëtar Republikan të Kongresit për mbledhjen e fondeve në Uashington, Trump tha se nuk kishte zgjidhje tjetër përveç se të sulmonte Iranin: “Mendova se çmimet e energjisë, çmimi i naftës do të rriteshin më shumë. Mendova se tregu i aksioneve do të binte disi më poshtë. Në afat të shkurtër, ajo që duhej të bënim është të hiqnim qafe kancerin. Duhej ta zhduknim. Kanceri ishte Irani me një armë bërthamore, dhe tani e kemi zhdukur”.
Irani po shqyrton një propozim të SHBA-së për t'i dhënë fund luftës në Gjirin Persik dhe raportohet se ka vendosur 5 kushte. Megjithatë nuk ka ndërmend të zhvillojë bisedime të drejtëpërdrejta për t'i dhënë fund konfliktit në zgjerim të Lindjes së Mesme, tha ministri i jashtëm i vendit. Teksa paqja nuk duket ende në horizont, sulmet mes palëve vazhdojnë.
Pesë persona u plagosën pasi një bombë thërrmuese iraniane goditi një zonë banimi në Izraelin qendror. 2 persona u vranë në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa sulme iraniane janë raportuar edhe në Kuvajt, Arabi Saudite dhe Bahrein. Në javët e fundit, Irani ka vendosur mina dhe personel shtesë ushtarak, si dhe sisteme mbrojtjeje ajrore në ishullin Kharg, në përgatitje për një operacion të mundshëm amerikan për të marrë kontrollin e ishullit.
Kështu raporton CNN, duke cituar burime të njohura me raportet e inteligjencës amerikane. Administrata Trump po shqyrton përdorimin e trupave amerikane për të pushtuar ishullin e vogël në Gjirin Persik verilindor, një litar shpëtimi ekonomik për Iranin, i cili trajton rreth 90% të eksporteve të naftës bruto të vendit, si një levë për të detyruar Iranin të rihapë Ngushticën e Hormuzit, shton CNN. (A2 Televizion)