“Nuk ndajmë inteligjencën me Iranin nëse braktisni Ukrainën”, Zelensky zbulon ofertën e Moskës për SHBA-të

Nga A2 CNN
25 Mars 2026, 23:39 | Bota

“Nuk ndajmë inteligjencën me Iranin nëse braktisni

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Rusia është përpjekur të ushtrojë presion ndaj SHBA-ve duke përdorur si mjet shkëmbimi bashkëpunimin e saj me Iranin, raporton A2CNN. 

Sipas Zelenskiy-t, Moska ka ofruar të ndalojë ndarjen e inteligjencës ushtarake me Iranin, nëse Uashingtoni, në këmbim, do të ndërpriste furnizimin me të dhëna inteligjente për Ukrainën. Ai e cilësoi këtë veprim si “shantazh të hapur”.

Kam raporte nga shërbimet tona të inteligjencës që tregojnë se Rusia po thotë: ‘Nuk do t’i japim inteligjencë Iranit nëse Amerika ndalon së dhëni inteligjencë Ukrainës’. A nuk është kjo shantazh? Absolutisht”, u shpreh ai në një intervistë për Reuters nga kompleksi presidencial në Kiev.

Zelensky shtoi se inteligjenca ushtarake ukrainase disponon prova që Rusia vazhdon të ndihmojë Iranin, megjithëse nuk dha detaje konkrete mbi këto të dhëna. Ai theksoi gjithashtu se disa dronë iranianë, të përdorur në sulme ndaj objektivave amerikane dhe aleatëve të tyre në Lindjen e Mesme, përmbajnë komponentë rusë.

Nga ana tjetër, Rusia ka mohuar çdo përfshirje në mbështetje të Iranit gjatë konfliktit të fundit me SHBA-në dhe Izraelin. Sipas Zelensky-t, këto mohime janë përsëritur edhe në komunikimet direkte me Uashingtonin.

Deklaratat e presidentit ukrainas vijnë në një moment tensionesh të larta ndërkombëtare, ku bashkëpunimi ushtarak dhe ndarja e inteligjencës mbeten elementë kyç në balancën gjeopolitike globale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos