Ukraina po përgatit atë që konsideron “një surprizë” për ushtrinë ruse. Presidenti Volodymyr Zelensky tha se forcat e tij po bëjnë gati një tjetër kundërofensivë për rimarrjen e territoreve të pushtuara.
“Do të vazhdojmë sukseset në Detin e Zi, jugu është i rëndësishëm, po ashtu edhe mbrojtja në lindje, kur rusët kanë 200 mijë ushtarë”, u shpreh ai një intervistë për median amerikan, Fox News.
Më tej Zelenski ka ftuar homologun amerikan, Joe Biden, dhe kandidatin republikan, Donald Trump, që të shkojnë në Ukrainë dhe të vizitojnë frontin e luftës për të dëshmuar me sytë e tyre tragjedinë e rëndë. Fjalë këto që vijnë në kundërpërgjigje të deklaratës së Trump se mund t’i japë fund konfliktit brenda 24 orëve.
“Nuk mund të zgjidhet kjo tragjedi. Nëse ai vjen këtu, sigurisht që do të ndryshojë mendje. Nuk ka dy palë në këtë luftë, por vetëm një armik që është Putin”, nënvizoi ai mes tjerash.
Në terren, Rusia nuk i ka ndalur sulmet. Pas bombardimeve në Odesa dhe Dnipro, 3 persona humbën jetën dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur. Qendrat humanitare në Ukrainë raportojnë se 42 civilë vriten ose plagosen çdo ditë.
Por fokusi i Vladimir Putin duket se nuk është vetëm në Ukrainë. Pasi fluturoi me bombarduesin strategjik me aftësi bërthamore, TU-160M, që njihet dhe si “mjellma e bardhë”, presidenti rus dërgoi një sinjal të drejtpërdrejtë për perëndimin.
Shefi i Kremlinit njofton se 95 për qind e fuqisë strategjike bërthamore ruse është modernizuar, përfshirë me avionë të rinj hipersonik.
“Në botën moderne, ka shumë sfida dhe rreziqe shqetësuese, dhe për këtë arsye potenciali i fuqishëm dhe gatishmëria e lartë luftarake e ushtrisë dhe marinës sonë janë një garanci e sigurisë së Rusisë, zhvillimit të saj të lirë dhe sovran. Duke përfshirë përvojën tonë të vërtetë luftarake, ne do të vazhdojmë në fuqizimin e forcave të armatosura në çdo mënyrë të mundshme, duke përfshirë përpjekjet e vazhdueshme të ripajisjes dhe modernizimit.”, tha Putin.
Putini njoftoi se industria e ministrisë së mbrojtjes po prodhon në masë armë të precizonit të lartë, tanke, artileri dhe shumë armë të tjera, ndërsa tha se hapi i radhës është futja e inteligjencës artificiale në sferën ushtarake.
(A2 Televizion)