Një tragjedi e përmasave të mëdha ka ndodhur në Spanjë. 4 persona kanë humbur jetën dhe 20 të tjerë janë shpallur të zhdukur, përfshirë një fëmijë dhe një të moshuar, pasi flakët shkrumbuan një pallat 14-katësh në qytetin e Valencias.
Sipas raportimeve të mediave lokale, zjarrfikësit nuk presin të gjejnë të mbijetuar. Të paktën 14 persona u plagosën, duke përfshirë gjashtë anëtarë të ekipeve të shpëtimit. Zjarri ka rënë në katin e pestë të një pallati të sapondërtuar në lagjen Campanar. Në pallat ka gjithsej 138 apartamente. Banorët rrëfejnë tmerrin e përjetuar.
“Është shokuese. Nuk di se çfarë të them. Është shumë e trishtë. Jemi shumë të shqetësuar dhe të vetëdijshëm për rrezikun që na kanoset. Kjo mund t’i ndodhi kujtdo. Duhet të qëndrojmë gati.”, u shprehën disa nga banorët.
Autoritetet ende nuk e dinë se si ka nisur zjarri, por dyshohet se materiali izolues i pranishëm në fasadë, veçanërisht një shtresë sfungjeri lehtësisht e ndezshme, mund të ketë nisur flakët. Era e fortë ka ndikuar që zjarri të përhapet me shpejtësi. Ndërkohë, flakët kanë kaluar edhe në një pallat ngjitur. (A2 Televizion)