Të gjithë, përveç njërit prej liderëve të vendeve të Bashkimit Europian, u pajtuan se ukrainasit duhet të kenë lirinë për të vendosur të ardhmen e tyre, në prag të takimit të rëndësishëm mes Trump dhe Putin në Alaskë, të premten. Në deklaratën e publikuar të martën, e cila nuk u mbështet vetëm nga Victor Orban i Hungarisë, u tha se zgjidhja diplomatike e luftës në Ukrainë, duhet të mbrojë interesa tjetësore të sigurisë së Kievit dhe Europës.
“Negociatat e frytshme mund të zhvillohen vetëm në kontekstin e një armëpushimi dhe reduktimi të armiqësive”, thuhet më tej në deklaratë. Europianët po përpiqen të ushtrojnë një lloj influence lidhur me takimin e 15 gushtit, nga i cili janë mënjanuar. Mbetet e paqartë nëse vetë Ukraina do të marrë pjesë. Të hënën Trump konfirmoi se ai dhe presidenti rus do të diskutojnë për shkëmbime territoresh në Alaskë, por se do të përpiqet qe të rimarrë një pjesë territori për Ukrainën.
"Do të ketë disa shkëmbime territoresh. Është shumë komplekse sepse keni vija kufitare që janë shumë të pabarabarta dhe do të ketë disa shkëmbime, do të ketë disa ndryshime në tokë dhe fjala që ata do të përdorin është, “ne do të ndryshojmë vijat, vijat e betejës’’. Rusia ka pushtuar një pjesë të madhe të Ukrainës. Ëh, ata kanë pushtuar një territor shumë të rëndësishëm. Ne do të përpiqemi të marrim një pjesë të atij territori përsëri për Ukrainën, por ata kanë pushtuar një territor shumë të rëndësishëm”.
Zelenski ka refuzuar publikisht idenë që Ukraina të lëshojë territor për të siguruar armëpushimin. Moska kontrollon pjesën më të madhe të 4 rajoneve Ukrainës, dy në lindje dhe dy në jug. Në deklaratën e së hënës, Trump kritikoi presidentin ukrainas, duke theksuar se ai ka qenë në pushtet përgjatë kohëzgjatjes së luftës dhe se asgjë nuk kishte ndodhur gjatë kësaj kohe. Zakonisht i prirur të promovojë aftësitë e tij në ujdi-bërje, këtë herë u tregua I përmbajtur duke minimizuar mundësitë për një arritje të rëndësishme në Alaska, por tha se priste bisedime konstruktive me Putinin.
“Do t’i them atij; Duhet t’i japësh fund kësaj lufte”, deklaroi Trump, duke shtuar se do ta kuptonte nëse ishte arritur progres që në 2 minutat e para të takimit. (A2 Televizion)