Ukrainasit të gatshëm të japin tokë, Blinken: I kemi dhënë armë Kievit edhe para fillimit të luftës

Nga Erjon Dervishi
5 Janar 2025, 09:51 | Bota

Forcat ruse sulmuan qytetin Semenivka në zonën kufitare të rajonit Chernihiv të Ukrainës. Sipas mediave ukrainase nga sulmi rus kanë mbetur të vrarë të paktën 7 persona. Edhe pse trupat ruse vazhdojnë të pësojnë humbje të mëdha në Ukrainën lindore, ata vazhdojnë të përparojnë në mënyrë të qëndrueshme në vitin e ri. Me sa duket, sipas një agjencie ukrainase të lajmeve, gjithnjë e më shumë ukrainas janë të gatshëm t'ua dorëzojnë tokën rusëve, raporton media gjermane Die Welt, shkruan A2 CNN.

Ndërkohë bëhet e ditur se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore shkatërruan 61 dronë ukrainas në rajonet e Federatës Ruse. Kështu ka theksuar Ministria e Mbrojtjes e Moskës. “61 mjete ajrore pa pilot u shkatërruan nga sistemet e mbrojtjes ajrore në shërbim, 37 dronë u shkatërruan në territorin e rajonit të Rostovit”, vuri në dukje ministria. Por nga ana e tij, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se forcat ruse dhe koreano-veriore kishin pësuar humbje të mëdha në betejat në Kursk. “Në betejat e së shtunës dhe së dielë spranë vetëm një fshati, Makhnovka, në rajonin e Kurskut, ushtria ruse humbi deri në një batalion ushtarësh të këmbësorisë koreano-veriore dhe parashutistëve rusë. Kjo është domethënëse, tha Zelensky, raporton A2 CNN.

Sakaq, në një intervistë për The Neë York Times, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken theksoi se SHBA kishte furnizuar Ukrainën me armë edhe para se të shpërthente kriza në Ukrainë. Sekretari tha se SHBA filloi furnizimin me armë për Ukrainën në shtator 2021 dhe ofroi mbështetje shtesë në dhjetor 2021, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketat antitank. Sipas Blinken, këto furnizime ushtarake kishin për qëllim të siguroheshin që ata të kishin në dorë atë që u nevojitej për t'u mbrojtur, transmeton A2 CNN.

Në përgjigje, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova deklaroi se Rusia ka dënuar vazhdimisht mbështetjen ushtarake të SHBA-së dhe NATO-s për Ukrainën, si dhe stërvitjet e gjata ushtarake të NATO-s në Detin e Zi.

Ajo shtoi se këto veprime nga perëndimi ishin një faktor kyç pas vendimit të Rusisë për të nisur operacionin e saj special ushtarak, një nga objektivat e të cilit është çmilitarizimi i Ukrainës dhe garantimi i sigurisë së Rusisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos