Vala e të nxehtit detar ka përfshirë një sipërfaqe oqeanike pesë herë më të madhe se Australia

Nga A2 CNN
5 Qershor 2025, 07:48 | Bota

Vala e të nxehtit detar ka përfshirë një sipërfaqe

Pothuajse 40 milionë kilometra katrorë oqean përreth Azisë Juglindore dhe Paqësorit, një zonë pesë herë më e madhe se Australia, u përfshi nga një valë e të nxehtit detar në vitin 2024. Kjo u zbulua nga një raport i Organizatës Botërore Meteorologjike (OBM), të publikuar në The Guardian, përcjell A2 CNN.

Shkencëtarët e OBM thanë se nxehtësia rekord në tokë dhe në oqean, u shkaktua kryesisht nga kriza klimatike dhe përkoi me një sërë ngjarjesh ekstreme të motit, nga rrëshqitjet vdekjeprurëse të tokës në Filipine te përmbytjet në Australi dhe humbja e shpejtë e akullnajave në Indonezi.

Rajoni ishte 0.48 gradë Celsius më i nxehtë se mesatarja e regjistruar midis viteve 1991 dhe 2020, thuhet në raportin e OBM -së për Gjendjen e Klimës.

Matjet satelitore treguan se nivelet e detit po rriteshin me pothuajse 4 mm në vit "dukshëm më të larta" se mesatarja globale prej 3.5 mm, tha raporti, përcjell A2 CNN.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të OBM -së, Prof. Celeste Saulo, tha se nxehtësia e oqeanit dhe acidifikimi ishin kombinuar për të “shkaktuar dëme afatgjata” në ekosistemet dhe ekonomitë detare.

“Rritja e nivelit të detit është një kërcënim ekzistencial për të gjitha kombet ishullore. Është gjithnjë e më e qartë se po na mbaron shpejt koha për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve”, tha Saulo.

Sipas drejtorit të OBM -së për rajonin Ben Churchill, ky është një mesazh për veprime më të forta klimatike. “Ky raport tregon se po shohim gjëra që nuk i kemi parë kurrë më parë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos