Katër persona kanë vdekur në brigjet e Francës veriore, pasi u përpoqën të kalonin Kanalin Anglez. Kështu raportojnë media ndërkombëtare duke cituar autoritetet lokale. “Një varkë u fundos sot. Situata është ende duke u vlerësuar”, thanë autoritetet lokale franceze në Kale, në një deklaratë për shtyp të transmetuar nga Reuters.
Nuk dihet ende kombësia e tyre. Mediat franceze raportojnë se përpjekjet e shpëtimit janë duke u zhvilluar të enjten në mëngjes pas incidentit në brigje, në jug të Kalesë. Gjatë tre viteve të fundit, kalimet në Kanal janë rritur, me mbi 41 mijë njerëz që kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me gomone në vitin 2025.
Shqiptarët që kalonin ilegalisht kanalin u shndërruan në një problem serioz nga qeveria e Londrës, por tashmë trendi i emigracionit nga vendi ynë ka rënë ndjeshëm. Midis 1 janarit dhe 26 marsit 2026, një total prej 4,441 personash kaluan Kanalin Anglez me gomone nga Franca. (A2 Televizion)