Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se është gati të bëjë "disa kompromise" në kërkesën e tij që të ndodhë një armëpushim përpara çdo bisedimi me Presidentin rus Vladimir Putin - për sa kohë që përcaktohen disa garanci sigurie për Ukrainën. Komentet e tij vijnë ndërsa Moska kundërshton hapur narrativën e Shtëpisë së Bardhë se planet për një takim dypalësh midis Putinit dhe Zelensky janë "në proces". “Formati që është propozuar ka të ngjarë të përfshijë njëfarë kompromisi,” tha ai. “I thashë Presidentit Trump se, në çdo rast, do të na duhet një periudhë qetësie për të zhvilluar të gjithë planin për t'i dhënë fund luftës - nëse duam vërtet që plani të jetë serioz.” tha Zelensky.
Zelensky u tha gazetarëve të mërkurën se Ukraina po pret që “arkitektura e garancive të sigurisë” të krijohet brenda shtatë deri në dhjetë ditë para se të caktojë një datë për bisedime me Kremlinin. “Dhe bazuar në këtë mirëkuptim, ne synojmë të zhvillojmë një takim trepalësh. Kjo ishte logjika ime,” tha Zelensky, duke iu referuar qëllimit të deklaruar më parë të Trump për të mbajtur një takim përfundimtar midis tij, Putinit dhe Zelenskyt, shkruan A2 CNN.
Ukraina më parë ka rënë dakord që një pjesë e garancive të saj të sigurisë me Uashingtonin të përfshijë shpenzimin e rreth 90 miliardë dollarëve për armë amerikane, një kosto që Zelensky e mbrojti, duke thënë: “Unë besoj se është përcaktuar një komponent i fortë armësh, një që ushtria ukrainase ka nevojë si pjesë e garancive të sigurisë. Kjo shumë është e justifikuar”.
Sakaq, bëhet e ditur se Rusia sulmoi Ukrainën me qindra dronë dhe raketa gjatë natës të së enjtes. Forcat e armatosura ruse lëshuan 574 dronë dhe 40 raketa, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës. 546 dronë dhe 31 raketa u rrëzuan nga mbrojtja ajrore. Ky është sulmi më i rëndë rus në javë të tëra. Sipas burimeve ukrainase, ushtria ruse goditi një fabrikë që i përkiste një prodhuesi elektronik amerikan në një sulm natën në Ukrainën perëndimore. Sybiha shkroi në platformën online X se objekti ishte thjesht një objekt civil që nuk kishte të bënte fare me mbrojtjen apo ushtrinë. Sulmi ishte pjesë e një sulmi mbarëkombëtar që përfshinte qindra dronë, si dhe raketa hipersonike, raketa balistike dhe raketa lundrimi. (A2 Televizion)