Një gjykatë në Turqi konfirmoi masën e arrestit me burg për kryetarin e bashkisë së Stambollit, ndaj të cilit është ngritur akuza e korrupsionit dhe terrorizmit.
Ekrem Imamoglu, një rival i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, u ndalua të mërkurën, disa ditë përpara se të zgjidhej si kandidat presidencial. Opozitari mohon akuzat, ndërsa mbështetësit kanë organizuar disa prej protestave më të mëdha, që vendi ka parë në më shumë se një dekadë.
Manifestimet kanë vazhduar për katër net radhazi, me mbështetës që u mblodhën edhe jashtë gjykatës ku u mor vendimi. Erdogan ka dënuar trazirat dhe ka akuzuar Partinë Popullore Republikane në opozitë të Imamoglu se po përpiqet të “prishë paqen dhe të polarizojë popullin”. Jashtë zyrës së kryebashkiakut në Stamboll, para se protestat të nisnin, policia lëshoi gaz lotsjellës.
Ndërsa turmat ishin shtuar gjatë gjithë mbrëmjes, u bë e vështirë për të marrë frymë pasi gazi lotësjellës ishte lëshuar në mënyrë masive për të shpërndarë demonstruesit. Duke brohoritur “të drejta, ligj, drejtësi”, njerëzit e të gjitha moshave kundërshtuan një ndalim të qeverisë për tubime për të protestuar kundër asaj që ata e shohin si një ndalim të paligjshëm.
Autoritetet turke thanë se 343 persona u arrestuan të premten mbrëma, në ditën e tretë të protestave, në të gjithë vendin. Po ashtu ka pasur ndalime edhe gjatë të shtunës, por një numër i saktë nuk dihet. Imamoglu shihet si një nga rivalët politikë më të fuqishëm të Erdoganit. Presidenti ka mohuar akuzat e opozitës se kjo është një lëvizje politike, ndërsa thekson se gjyqësori është i pavarur. (A2 Televizion)