PD me strategji hibride, debaton buxhetin në disa komisione, vijon bojkotin te të tjerat

Nga Indrit Maraku
2 Nëntor 2026, 16:02 | Politikë

Demokratët vendosën të bëjnë një përjashtim nga rregulli i bojkotit të komisioneve parlamentare, duke u kthyer për të marrë pjesë në diskutimet për projektbuxhetin dhe paketën fiskale në Komisionin e Ekonomisë, i cili është përgjegjës për këto drafte.

“Duhet të ndihmohen sektorët që prodhojnë dhe të ofrohen qoftë edhe përjashtime fiskale”, tha deputeti Eno Bozdo, përcjell A2 CNN.

Në komisionet e tjera, porosia ishte të vijonte e njëjta strategji e javëve të fundit, ku një përfaqësues shprehte qëndrimin se nuk mund të kishte normalitet parlamentar dhe më pas largohej.

Jo të gjithë respektuan këtë qasje. Në Komisionin e Ligjeve, demokrati Arjan Ndoja u përfshi në diskutimet për projektbuxhetin, duke i drejtuar pyetje konkrete ministrit të Financave.

“Faktikisht, në gjendjen që po kalon vendi sot, për të qenë i sinqertë, me atë protestën e studentëve dhe të gjithë atyre njerëzve që dalin në shesh, kjo mbledhje duket pak si jashtë kohe, jashtë kontekstit. Por unë e kam vendosur që të vij dhe të marr pjesë, për arsye se ky është një ndër projektligjet më të rëndësishme që miratohet, pasi lidhet me buxhetin e shtetit. Njëkohësisht, kjo paketë fiskale dhe ndryshimet në të që ju keni sjellë prekin një numër të konsiderueshëm personash”, u shpreh ai.

Pak metra më tutje, demokratja Ina Zhupa respektoi detyrën si kryetare e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, por, më shumë sesa për buxhetin, u përfshi në debate me socialistët lidhur me protestat e ditëve të fundit.

“Qytetarët kanë 156 ditë që protestojnë. Studentët kanë 21 ditë në revoltë dhe asgjë nuk është dhe nuk mund të jetë normale në këtë Kuvend”, tha ajo.

“Kam kohë që ju dëgjoj të thoni se ju erdhi fundi, por që do t’ju vinte fundi juve duke qenë në opozitë, në këtë mënyrë nuk e kisha menduar. Ia bëtë vetes. Bravo ju qoftë! Edhe pse studentëve ua vodhët kauzën, prapëseprapë ata jo vetëm që nuk ju votojnë, por nuk ju duan as afër në protestë”, iu përgjigj deputeti socialist Erion Malaj.

Në komisionet e tjera, si ai i Punëve të Jashtme, ku nënkryetare është Albana Vokshi, por që është e përjashtuar, asnjë nga kolegët e saj nuk u paraqit për të mbajtur një qëndrim. Ndërkohë, Edmond Haxhinasto ishte i vetmi përfaqësues i opozitës përballë kreut të diplomacisë shqiptare, Ferit Hoxha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos