Ministri i Drejtësisë: Kam takuar Veliajn, ja e vërteta në burgun e Fierit

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2026, 16:29 | Politikë

Ministri i Drejtësisë: Kam takuar Veliajn, ja e vërteta në

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka konfirmuar se ka takuar kryebashkiakun e  Tiranës, Erion Veliaj, në burgun e Fierit, ku ky i fundit u transferua së fundmi.

Përmes një reagimi publik, Gogu ka sqaruar se takimi është zhvilluar të premten dhe se vizita në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Fier kishte për qëllim njohjen me kushtet e trajtimit të Veliajt, si dhe dëgjimin e ankesave të ngritura publikisht nga avokati i tij.

Ministri ka reaguar edhe ndaj publikimeve se gjatë takimit i kishte përcjellë Veliajt mesazhe të koduara, duke i mohuar kategorikisht këto pretendime.

Gogu ka theksuar se vizita është realizuar në kuadër të përgjegjësive të tij institucionale si ministër i Drejtësisë.

Reagimi i plotë i Toni Gogut:

“Më vjen thellësisht keq për të pavërtetat që janë publikuar sot lidhur me vizitën time në IEVP Fier.

Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij.

Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë.

Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni.

Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj ‘mesazhet’ që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar.

Kam shkuar për të dëgjuar shqetësimet e një njeriu pas një tymnaje mediatike dhe shqetësimeve të kuptueshme të kujtdo që shqetësohet kur flitet për liri e të drejta. Rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme.

Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos