“4 valixhe me drogë nga Tajlanda”, ish-sulmuesi i Arsenalit pranon tentativën për trafik droge

Nga A2 CNN
21 Maj 2025, 21:43 | Bota

“4 valixhe me drogë nga Tajlanda”, ish-sulmuesi i Arsenalit

Jay Emmanuel-Thomas, 34 vjeç, ish-sulmues i Arsenalit dhe disa klubeve të tjera britanike, ka pranuar fajësinë për përpjekjen për të futur 60 kilogramë kanabis në Mbretërinë e Bashkuar, me një vlerë tregu prej rreth 600 mijë paundësh.

Lënda narkotike u zbulua në 2 shtator 2024 në Aeroportin Stansted në Essex, kur dy gra – partnerja e tij, Yasmin Piotrowska, 33 vjeçe, dhe shoqja e saj Rosie Rowland, 29 vjeçe – mbërritën nga Bangkoku i Tajlandës me katër valixhe të mbushura me drogë. Në secilën valixhe u gjetën 15 kilogramë kanabis.

Emmanuel-Thomas pranoi se kishte organizuar trafikun dhe u shpreh në gjykatë se ndjente keqardhje për përfshirjen e Piotrowskës në këtë plan kriminal. Ai pranoi fajësinë për akuzën e “shmangies me mashtrim të ndalimit për import droge” në periudhën 1 korrik – 2 shtator 2024.

Ndërkohë, akuzat ndaj dy grave u hodhën poshtë pasi, sipas prokurorit David Josse KC, analiza e telefonave tregoi se ato besonin se po sillnin ar nga Tajlanda, jo drogë. Gjykatësi Christopher Morgan urdhëroi regjistrimin e vendimeve "i pafajshëm" për të dyja gratë, të cilat u liruan menjëherë, shkruan A2 CNN.

Pas ngritjes së akuzave, Emmanuel-Thomas u përjashtua nga klubi skocez Greenock Morton. Ish-lojtari i njohur gjithashtu për periudhat e tij te Ipswich Town, Bristol City dhe Aberdeen, është baba i dy fëmijëve dhe do të dënohet në një seancë të ardhshme.

Ligji britanik parashikon një dënim maksimal deri në 14 vite burg për trafik të tillë droge. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos