Vritet një fëmijë 4-vjeçar, Rusia sulmon dhunshëm Ukrainën, shpërthime e viktima në Kiev

Nga Xhevahir Qardaku
23 Dhjetor 2025, 15:19 | Bota

Vritet një fëmijë 4-vjeçar, Rusia sulmon dhunshëm

Dronë në qiell, shpërthime dhe errësirë totale. Ishte ky realiteti i orëve të fundit në Ukrainë, teksa ushtria e Rusisë ndërmori një sulm tepër të dhunshëm. Autoritetet në Kiev raportojnë për të paktën 3 viktima, mes tyre dhe një fëmijë vetëm 4 vjeç.

Në shënjestër përfundoi infrastruktura energjetike dhe sulmet masive kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në të gjithë Ukrainën, thotë operatori i energjisë. Alarme për sulme ajrore u lëshuan në të gjithë vendin, përfshirë kryeqytetin Kiev.

Polonia njoftoi se ngriti në ajër avionë luftarakë në përgjigje të sulmit ndaj fqinjit të saj, një veprim paraprak që e bën rregullisht. Kjo vjen ndërsa Presidenti Volodymyr Zelensky paralajmëroi se ishte “natyra e Rusisë të bënte një lloj sulmi masiv për Krishtlindje... veçanërisht më 23, 24 dhe 25 dhjetor”.

“Rusia zhvilloi një sulm masiv ndaj Ukrainës, veçanërisht ndaj infrastrukturës sonë energjetike, civile, praktikisht të gjithë infrastrukturës së jetës. Më shumë se 650 dronë janë lëshuar. Më shumë se tridhjetë raketa”, shkroi Zelensky në Telegram, duke shpjeguar se 13 rajone janë shënjestruar.

Sulmi vjen teksa Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara po diskutojnë kohën e garancive të sigurisë dhe mundësinë e zgjatjes së tyre, tha Presidenti Zelensky.

Sipas tij, garancia e parë është ushtria ukrainase, e cila numëron 800,000 ushtarë. Garancia e dytë, shtoi presidenti, është pranimi i Ukrainës në Bashkimin Europian. Kjo përfshin kryesisht garancitë e sigurisë ekonomike dhe aksesit në treg. Garancia e tretë e sigurisë është Koalicioni i Vullnetarëve, me forcat europiane që pritet të garantojnë sigurinë e Ukrainës në tokë, det dhe ajër.

“Bisedimet mbi Ukrainën dhe Rusinë po përparojnë”, thekson presidenti amerikan Donald Trump, lidhur me diskutimet e mbajtura gjatë fundjavës dhe mundësinë e një formati të mundshëm trepalësh që përfshin Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë si një hap tjetër. Por Moska theksoi se bisedimet nuk kanë prodhuar asgjë domethënëse.

Sulmet e fundit në Ukrainë po ndodhin disa orë pasi një gjeneral rus u vra në një shpërthim me makinë-bombë në Moskë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos