Vritet shefi i sigurisë iraniane, Izraeli: Netanjahu dha urdhër, të eleminohet gjithë lidershipi

Nga Rosalba Bejdo
17 Mars 2026, 13:39 | Bota

Netanjahu dha urdhër, do eliminojmë të gjithë lidershipin. Kreu i Këshillit të Lartë të Sigurisë në Iran, Ali Larijani, u vra në një sulm ajror izraelit gjatë natës. Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, i cili tha se ishte informuar nga ushtria për vrasjen e Larijanit.

Media shtetërore iraniane publikoi një deklaratë të shkruar nga kreu i sigurisë, në përkujtim të marinarëve të vrarë nga një sulm amerikan, varrimi i të cilëve do të zhvillohej të martën, por nuk pati komente mbi pretendimet e Izraelit.

Ndërkohë, mediat izraelite raportojnë se zyrtari i lartë iranian ishte shënjestruar së bashku me djalin e tij, në një apartament ku po qëndronte i fshehur. Nëse konfirmohet, Larijani do të ishte zyrtari më i lartë që vritet në Iran pas Ajatollahut Ali Khamenei, i cili u eliminua që në ditën e parë të sulmeve izraelito-amerikane, më 28 shkurt.

Larijani u emërua në gusht të 2025 nga presidenti Pezeshkian si sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë dhe si përfaqësues i liderit suprem Khamenei në Këshill. Ka shërbyer si kryetar i parlamentit iranian për 12 vite dhe më herët si kryenegociator për çështjen bërthamore. Kohët e fundit ishte përshkruar si konservator i moderuar.

Ministri izraelit Katz deklaroi gjithashtu se kishin vrarë edhe Gholamreza Soleimani, komandant i forcave paraushtarake Basij, nën kontrollin e Gardës Revolucionare të Iranit, që shpesh përdoret për të shtypur protestat brenda Iranit.

Zyra e kryeministrit Benjamin Netanjahu tha se lideri izraelit kishte udhëzuar IDF të vijojë me gjurmimin dhe eliminimin e lidershipit të terrorit dhe shtypjes në Iran, siç e cilësoi. Irani ndërkohë u kundërpërgjigj me një valë intensive sulmesh raketore ndaj Izraelit (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos