Zbulohen mbi 300 trupa në spital, Biden “shuplakë” Netanjahut: Po gabon në Gaza

Nga Rosalba Bejdo
10 Prill 2024, 11:15 | Bota

Në një prej komenteve më kritike ndaj luftës izraelite në Gaza, Presidenti amerikan Joe Biden e cilësoi si të gabuar qasjen e Benjamin Netanjahut. Në një intervistë televizive, kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri thirrje për armëpushim dhe qasje të plotë ndaj ndihmave në enklavën e copëtuar.

Një javë pas vrasjes së 7 punonjësve të bamirësisë në sulmet e ushtrisë izraelite, Biden e quaji të tmerrshme mënyrën se si automjeti i vullnetarëve ishte goditur nga dronët në një autostradë: “Mendoj se ajo që po bën Netanjahu është e gabuar. Nuk jam dakord me qasjen e tij. Mendoj se është e tmerrshme që ato 3-4 automjete u goditën nga dronët në një autostradë. I bëj thirrje izraelitëve për armëpushim dhe që të lejojnë përgjatë 6 deri në 8 javët e ardhshme qasje të plotë ndaj ushqimeve dhe medikamenteve që hyjnë në vend”.  

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se gjatë një telefonate të zhvilluar javën e kaluar me Netanjahun, Biden paralajmëroi se vazhdimi i mbështetjes amerikane për luftën do të varej nga vullneti i Izraelit për të lejuar hyrjen e më shumë ushqimeve dhe ilaçeve. Por, me gjithë presionin në rritje, kryeministri izraelit këmbëngul se asnjë fuqi botërore, nuk do t’i ndalë trupat e tij të hyjnë në Rafah, qytet në jug të territorit ku janë strehuar 1,5 milionë palestinezë.

Ai thotë se është caktuar edhe data e operacionit madhor, në një sfidë të hapur ndaj aleatit historik SHBA, që e ka dënuar planin. Biden po përballet me presion të shtuar në vendin e tij lidhur me Izraelin dhe gjatë javëve të fundit e ka ashpërsuar retorikën ndaj Netanjahut. E megjithatë, furnizimet ushtarake, përfshirë bomba, raketa dhe municione kanë vërshuar të pandërprera nga SHBA drejt Izraelit.

Në një dëshmi të dramës që ka kapluar Gazën, trupat e 381 personave u zbuluan në një varrezë masive rreth spitalit të AL Shifës, ku sipas punonjësve forcat izraelite vranë qindra palestinezë gjatë rrethimit disajavor, duke lënë trupat të dekompozohen.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos