Presidenti rus Vladimir Putin i ka dhuruar Donald Trump-it një portret misterioz në muajin mars, një dhuratë që tashmë është zbuluar publikisht nga vetë artisti, shkruan A2 CNN. Portreti, i krijuar nga piktori i njohur rus Nikas Safronov, paraqet ish-presidentin amerikan duke ngritur grushtin lart në skenë, me gjak në fytyrë dhe një plagë të dukshme, një moment pas atentatit të dështuar ndaj tij në Butler, Pennsylvania në korrik të vitit 2024.
Safronov, i cili ka portretizuar më parë figura botërore si Papa Françesku, Narendra Modi dhe Kim Jong Un, tha për CNN se ishte kontaktuar nga persona të paidentifikuar që e ftuan të pikturonte Trump-in “siç e shihte ai vetë”. Ai nuk kishte dijeni të plotë për porositësit, por dyshonte se pas tyre qëndronte Kremlini. “Më vonë më telefonoi vetë Putin dhe më tha se portreti ishte një hap i rëndësishëm për përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA-në”, rrëfen artisti.
Sipas Safronovit, ai vendosi të mos kërkojë pagesë për veprën, duke e konsideruar dhuratën si një gjest miqësor mes dy kombeve. Portreti, i përshkruar si “një vepër e bukur” nga ndërmjetësi i Trump-it, Steve Witkoff, e preku emocionalisht presidentin amerikan.
Piktura tani ndodhet në Shtëpinë e Bardhë, pasi portreti zyrtar i Barack Obamës u zhvendos nga aty. Imazhi dramatik i Trump-it me grushtin lart dhe fytyrën e përgjakur u përdor si një simbol force dhe trimërie në fushatën e tij presidenciale.
Kremlini nuk ka dhënë ende një koment zyrtar lidhur me këtë histori. (A2 Televizion)