Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se zbutja 30-ditore e sanksioneve ndaj naftës ruse, mes luftës në Iran, nuk është vendimi i duhur dhe nuk do të ndihmojë për të ndalur agresionin e Moskës. Departamenti i Thesarit njoftoi të enjten lehtësim 30-ditor të sanksioneve, me synimin për të zhbllokuar ngarkesat ruse në det dhe për të plotësuar mungesat e shkaktuara nga lufta në Iran.
Por gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin francez Emanuel Macron në Paris, Zelenski theksoi se Rusia mund të përfitonte 10 miliardë euro nga zbutja e sanksioneve, të cilat do t’i përdorte më pas në luftë.
“Ne po dëgjojmë se kjo synon të stabilizojë situatën. Por sipas mendimit tim, logjika është krejtësisht ndryshe. Fakti është se Rusia i shpenzon këto para për armë, sidomos për drone, të cilët godasin ukrainasit në masë. Dhe siç po shohim tashmë nga raportet e inteligjencës, këta dronë po përdoren edhe kundër fqinjëve të Iranit, vendeve të Lindjes së Mesme, si dhe kundër evropianëve dhe amerikanëve që ndodhen në baza të ndryshme atje.”
Analistët thonë se Rusia, e cila varet gjerësisht tek të ardhurat e naftës për të financuar luftën, po përfiton nga rritja e çmimit të naftës për shkak të bllokadës në Gjirin Persik.
Nga ana e tij, presidenti francez Emanuel Macron deklaroi se lufta në Lindjen e Mesme nuk do t’i lehtësojë pozitat e Rusisë në konfliktin e saj me Ukrainën. Ai shtoi se ishte e çuditshme të shihje Rusinë teksa bën thirrje për armëpushim në Lindjen e Mesme, kur vetë refuzon ta pranojë një të tillë.
Macron u shpreh: “Sot Rusia mund të besojë se lufta në Iran do t’i ofrojë asaj një pushim të përkohshëm. Ajo gabon. Në takimin e liderëve të G7, të cilin e drejtova dy ditë më parë, ne rikonfirmuam se rritja e çmimeve të naftës nuk duhet në asnjë mënyrë të çojë në rishikimin e politikës sonë të sanksioneve ndaj Rusisë.”
Negociatat e ndërmjetësuara nga SHBA mes Moskës dhe Kievit, të cilat synojnë të ndalin konfliktin më të madh në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore, kanë mbetur pezull për shkak të luftës në Iran. Megjithatë, sipas Zelenskit, ato mund të rifillojnë javën e ardhshme.
Ukraina, e cila është bërë një prej prodhuesve më të mëdhenj të interceptorëve të dronëve në botë, po i ofron ekspertizë SHBA-së dhe partnerëve të Gjirit për luftën në Lindjen e Mesme, me shpresën që në këmbim të marrë mbrapsht armatime që nuk mund t’i prodhojë në shtëpi. (A2 Televizion)