Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se është i gatshëm të shkojë në Budapest për të diskutuar për paqe, ndonëse ka shprehur dyshime rreth gatishmërisë së presidentit rus, Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës që ka nisur mbi tre vjet më parë.
“Nuk jam i sigurt që Putini është gati t’i japë fund luftës”, ka thënë Zelensky në një intervistë për rrjetin televiziv NBC më 19 tetor.
“Mendoj se ai dëshiron ta vazhdojë agresionin”.
Presidenti ukrainas ka thënë se beson që Putini preferon shtyrjen e “negociatave të vërteta për paqe” dhe heziton ta takojë atë, sepse kjo do të nënkuptonte që palët do të duhej të pajtoheshin për pozicione specifike dhe koncesione potenciale për t’i dhënë fund luftës.
Zelensky ka bërë thirrje për rritje të presionit ndaj liderit rus, duke thënë se Putini “frikësohet nga sanksionet” dhe që sanksionet sekondare do ta gjunjëzonin ekonominë ruse.
Ai i ka bërë këto komente pasi presidenti amerikan, Donald Trump e ka mirëpritur Zelenskyn në Uashington më 17 tetor për të diskutuar për negociatat e së ardhmes për paqe.
Zelensky është nisur në Shtëpinë e Bardhë – për herë të tretë këtë vit – me idenë se do të diskutojë ndonjë marrëveshje për armët, që parasheh furnizimin e ushtrisë amerikane me dronë ukrainas, në këmbim të raketave me rreze të gjatë Tomahawk, mirëpo Trump ka qenë i ftohur ndaj një pakti të tillë.
Presidenti amerikan u ka bërë thirrje Rusisë dhe Ukrainës që menjëherë t’i ndalin luftimet, duke thënë se mjaftueshëm gjak është derdhur, dhe i ka bërë të ditura planet për të takuar presidentin rus, Vladimir Putin në Budapest, në javët në vijim.
Data e saktë e samitit nuk është bërë e ditur.
Përgjatë intervistës me NBC, Zelensky e ka përsëritur se është i hapur që të angazhohet në bisedime dypalëshe apo trepalëshe për paqe me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë në tavolinën e negociatave.
E përditshmja amerikane, Washington Post ka raportuar më 18 tetor se Putini ka kërkuar që Kievi të heqë dorë krejtësisht nga rajoni i Donjeckut, rajon me rëndësi strategjike në lindje të Ukrainës që është pjesërisht i kapur nga Rusia, si parakusht për dhënie fund të luftës.
Në disa komente që ka bërë Trumpi pas telefonatës së zhvilluar me Putinin, ka thënë se rajoni duhet të “shkëputet në situatën që është tani” që nënkupton se Rusia të kontrollojë 78 për qind të rajonit.
Megjithatë, në disa komente që i ka bërë më 19 tetor, Trump e ka mohuar se ka diskutuar që Ukraina të heqë dorë nga Donjecku.
I pyetur në një intervistë për rrjetin televiziv Fox, nëse Putini është i gatshëm të pranojë një marrëveshje për paqe, Trump ka thënë se “ai do të marrë diçka”.
Koncesionet territoriale pritet të jenë pjesë e ndonjë marrëveshjeje eventuale për Ukrainën, ndonëse është e paqartë se për çfarë mund të pajtohet Putini, apo se çfarë mund të ofrojë Kievi.
Kushtetuta e Ukrainës parasheh referendum kombëtar për të miratuar çfarëdo ndryshimi në territorin shtetëror, votim që nuk mund të mbahet nën gjendjen aktuale të luftës, të shpallur prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë më 2022./REL (A2 Televizion)