“Nëse PS-ja do të kishte deputetë të ndërgjegjshëm, do t’i kërkonin llogari Ramës”, Robelli: Nuk shoh strategji të qartë të opozitës

Nga A2 CNN
14 Tetor 2026, 23:40 | Politikë

Gazetari Enver Robelli u shpreh se oferta për dialog e kryeministrit Edi Rama ndaj protestuesve nuk i është dukur serioze.

“Sot është dita e 136 e protestave dhe oferta për dialog e kryeministrit nuk më është dukur serioze. Pastaj, “jeniçerët” e tij dilnin dhe i hidhnin benzinë zjarrit duke tallur njerëzit. Nuk është detyra e asnjë politikani që të tallet me njerëzit, por të krijojë ura besimi dhe mirëbesimi me ta. Problem shoh edhe brenda Partisë Socialiste, pasi nëse do të kishte deputetë të ndërgjegjshëm, disa prej tyre do të rebeloheshin, do të kërkonin llogari nga lideri i tyre. Partia nuk është një grup njerëzish të cilët 24 orë i thonë “PO” liderit. Ndonjëherë duhet të kundërshtojnë dhe të kërkojnë përgjegjësi prej tij”, deklaroi Robelli në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

Më tej, Enver Robelli pati kritika edhe për opozitën.

“Tragjedia tjetër është se Shqipëria për fat të keq nuk ka një opozitë të mirëfilltë. Mbahet peng nga një person i cili kryesisht bën thirrje për dhunë, por nuk shoh ndonjë strategji të qartë të opozitës politike dhe kjo ka të bëjë me mungesën e një reforme të thellë të saj. Në këtë situatë, qoftë edhe një qeveri teknike që mundëson zgjedhje të lira do të ishte zgjidhje”, u shpreh gazetari. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos