
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për ndihmë të menjëhershme nga aleatët e NATO-s, duke kërkuar sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur qytetet ukrainase nga valët e reja të sulmeve ruse.
Në samitin e NATO-s në Turqi, Zelensky deklaroi se Ukraina është në gjendje të përballojë shumë nga sfidat ushtarake vetë, por për mbrojtjen ajrore ka nevojë për vendosmërinë dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Thirrja e tij vjen pas sulmeve të fuqishme ruse me raketa dhe dronë, të cilat kanë goditur zonat urbane në Ukrainë dhe kanë shkaktuar viktima civile.
Sipas Kievit, raketat balistike ruse paraqesin një kërcënim të veçantë, pasi sistemet aktuale të mbrojtjes ajrore nuk janë të mjaftueshme për t’i ndaluar të gjitha, shkruan A2CNN.
Zelensky u ka kërkuar vendeve evropiane të ndajnë më shumë sisteme dhe raketa interceptuese, duke argumentuar se armët mbrojtëse duhet të përdoren për të shpëtuar jetë njerëzish dhe jo të qëndrojnë në magazina.
Ndërkohë, Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë me rreze të gjatë ndaj objektivave në territorin rus, përfshirë rafineri nafte dhe objekte ushtarake. Kievi pretendon se këto sulme synojnë të ushtrojnë presion mbi Moskën për të hyrë në negociata për paqe. (A2 Televizion)