Zjarr në bazën ushtarake, Trump për negociatat SHBA-Iran: Ishin shumë të mira

Nga Xhevahir Qardaku
7 Shkurt 2026, 12:15 | Bota

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është shprehur optimist për bisedimet e fundit me Iranin mbi çështjen bërthamore.

“Kanë qenë shumë të mira dhe duket se Irani dëshiron vërtet të arrijë një marrëveshje”, deklaroi Trump për gazetarët në bordin e Air Force One. Ai shtoi se palët do të takohen sërish në fillim të javës së ardhshme.

Megjithatë, Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv duke kërcënuar të vendosë tarifa shtesë për vendet që vazhdojnë të tregtojnë me Iranin. Urdhri, i lëshuar të premten, nuk specifikon normën që mund të vendoset, por përdor si shembull 25%, raporton A2 CNN.

Ai thotë se tarifa mund të zbatohet për mallrat e importuara në SHBA nga çdo vend që “blen, importon ose siguron drejtpërdrejt ose tërthorazi ndonjë mall ose shërbim nga Irani”. Negociatat e fundit u zhvilluan në Oman. Ato u drejtuan nga ministri i Jashtëm iranian Seyed Abbas Araghchi dhe i dërguari special amerikan Steve Ëitkoff. Omani ka vepruar si ndërmjetës në këto bisedime, por ballafaqim sy më sy nuk ka patur mes palëve.

Ky nuk është raundi i parë i negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit për dosjen bërthamore. Në prill të vitit të kaluar, palët zhvilluan takime të ngjashme në Oman dhe më pas në Itali. Një raund i tretë u mbajt sërish në Oman një javë më vonë. Në maj të vitit 2025, Trump kishte deklaruar se marrëveshja ishte shumë pranë, shkruan a2 CNN.

Megjithatë, bisedimet u ndërprenë pas sulmeve izraelite ndaj Iranit, që çuan në një konflikt 12-ditor. Gjatë atij përshkallëzimi, Shtetet e Bashkuara goditën tre objekte bërthamore iraniane në operacionin e quajtur “Çekani i Mesnatës”.

Ndërkohë, pamjet e publikuara nga mediat tregojnë tym që ngrihet mbi Teheranin lindor pas një zjarri të madh që shpërtheu brenda një baze ushtarake. Agjencia e lajmeve e Iranit, Mehr, raportoi zjarrin të premten vonë dhe konfirmoi vendndodhjen në një kompleks ushtarak. Zjarrfikësit arritën që t’i shuajnë flakët dhe nuk pati të lënduar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos