Dervishi: Problem i madh që pas 35 vitesh flasim për zgjedhjet, rregullat e lojës janë të deformuara

Nga A2 CNN
19 Nëntor 2026, 22:12 | Politikë

Gazetari Lutfi Dervishi ka theksuar se fakti që edhe pas 35 vitesh demokraci në Shqipëri, vendi vijon të diskutojë për rregullat zgjedhore, dëshmon një problem të madh.

I ftuar në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Dervishi tha se zgjedhjet duhet të shërbejnë si instrument për të mundësuar alternimin e pushtetit dhe uljen e tensioneve, por në Shqipëri ato shpeshherë kanë efektin e kundërt, për shkak se rregullat e lojës janë të deformuara.

“Fakti që ne flasim për zgjedhjet 35 vite më pas, tregon që ne kemi një problem të madh që nuk e ka askush tjetër. Thembra e Akilit e jona është që ne diskutojmë sot për zgjedhjet. Zgjedhjet janë instrumenti që demokracia ka shpikur për të dorëzuar pushtetin, për ta alternuar pushtetin, ose për të shfryrë krizat, për t’i ulur tensionet. Ndërsa këtu shpesh bëhen për t’i rritur tensionet. Për shkak se rregullat e lojës janë të deformuara”, u shpreh gazetari.

“Ky debat është bërë edhe para zgjedhjeve të 2009, për këtë sistem që kemi, atëherë thuhej sa shumë që jemi vonuar që kemi kaluar në këtë sistem. Argumenti bazë në atë kohë ka qenë, sistemi mazhoritar s’është i keq, por fitojnë njerëzit me xhepa të thellë dhe muskuj të fortë. Gati 20 vite më pas ne themi që ky sistem është i gabuar”, shtoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos