Aktivistja Edlira Çepani ka kritikuar sistemin aktual zgjedhor në Shqipëri, duke argumentuar se ai favorizon partitë e mëdha në dëm të partive të vogla dhe grupeve qytetare që duan të garojnë në zgjedhje jashtë strukturave tradicionale politike.
E ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Çepani tha se gjatë diskutimeve për Reformën Zgjedhore janë kërkuar vazhdimisht ndryshime në dy drejtime kryesore: garantimi i një përfaqësimi të barabartë të vullnetit të qytetarëve dhe vendosja e meritokracisë në garën për deputetë.
Sipas saj, heqja e koalicioneve zgjedhore ka sjellë fragmentarizimin e mëtejshëm të votave, pasi votat që nuk arrijnë të prodhojnë mandate për partitë e vogla përfundojnë duke favorizuar subjektet më të mëdha politike.
“Me heqjen e koalicioneve zgjedhore janë fragmentarizuar më tej votat e qytetarëve, sepse bishtat e votave që s’marrin mandat i kalojnë partisë më të madhe politike. Në këtë sistem, 1 plus 1 bëjnë 1 për partitë e vogla, 1 plus 1 bëjnë 3 për partitë e mëdha”, u shpreh Çepani.
Ajo bëri të ditur se kanë depozituar një nismë me disa kërkesa për ndryshimin e sistemit, ku një prej elementeve të reja është krijimi i listës qytetare. Kjo do t'u mundësonte grupeve dhe lëvizjeve qytetare të merrnin pjesë në zgjedhje pa qenë të detyruara të garonin nën logon e një partie politike.
Si shembull, Çepani solli lëvizjen studentore në Serbi, e cila garoi përmes një liste të përbashkët qytetare.
“Ka qytetarë, ka lëvizje që duan të garojnë pa logon e një partie, por si një grupim që shkon bashkë në zgjedhje me një kauzë dhe alternativë të caktuar”, deklaroi aktivistja.
Ndër kërkesat kryesore të nismës, Çepani përmendi proporcionalin kombëtar dhe listat e hapura, ku përzgjedhja e kandidatëve të bazohet te vota dhe meritokracia, duke iu referuar edhe modelit të Kosovës.
(A2 Televizion)