Spitali i Fëmijëve “Karamandanio” në qytetin e Patras është evakuuar sot si masë parandaluese, për shkak të një zjarri që ka shpërthyer në zonën përreth. Lajmin e bëri të ditur ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, përmes një postimi zyrtar.
“Për arsye të qarta parandaluese dhe ndërsa nuk ka kërcënim të menjëhershëm, kam vendosur që të evakuojmë Spitalin e Fëmijëve ‘Karamandanio’ të Akaisë duke ndjekur udhëzimet e Mbrojtjes Civile”, deklaroi Georgiadis.
Sipas autoriteteve, evakuimi po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe të sigurt. Automjetet e ambulancave të shërbimit të urgjencës mjekësore janë tashmë në vendngjarje dhe do të transportojnë tetë pacientë, ndërsa katër të tjerë, që janë në gjendje të ecin vetë, do të zhvendosen përkohësisht në Spitalin e Përgjithshëm Universitar.
Përveç spitalit të fëmijëve, po evakuohen edhe banorët e azilit të pleqve “Konstantopoulio”, që ndodhet në të njëjtën zonë të prekur nga zjarri.
Autoritetet kanë siguruar se nuk ka vend për panik dhe se operacioni i evakuimit po zhvillohet me të gjitha masat e nevojshme të sigurisë. (A2 Televizion)