Ka përfunduar telefonata midis kreut të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump dhe liderëve të Europës. Në përfundim të saj, Kancelari gjerman, Friedreich Merz ka bërë me dije se një armëpushim është i nevojshëm që në fillim, pas të cilit mund të arrihet një marrëveshje kornizë.
Kancelari gjerman Friedrich Merz e sheh takimin e ardhshëm midis Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaska si një shkëmbim në të cilin "mund të merren vendime të rëndësishme".
Reagim ka pasur edhe nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron. "Objektivi i parë i Trump në takimin me Putinin është të bëjë thirrje për armëpushim", tha Presidenti francez Emmanuel Macron pas videokonferencës.
Duke folur në Fort Brègancon pas bisedimeve, Macron shtoi se iniciativa "mbështetet" nga Franca. Presidenti francez theksoi gjithashtu se "shkëmbimi i territoreve" duhet të diskutohet me Kievin.
Sakaq, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka bërë me dije gjatë konferencës me kancelarin gjerman, se Putin po bën bllof dhe se po përpiqet të ushtrojë presion para takimit në Alaskë.
"I thashë Presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe të gjithë kolegëve tanë evropianë se Putini po bën blof, se po përpiqet të ushtrojë presion para takimit në Alaskë përgjatë gjithë frontit ukrainas, se Rusia po përpiqet të tregojë se mund të pushtojë të gjithë Ukrainën. Sigurisht, kjo është dëshira e tyre. Ne duhet të përgatisim një format trepalësh për bisedën. Duhet të ketë një armëpushim, së pari, duhet të ketë garanci sigurie vërtet të besueshme. Sot, meqë ra fjala, Presidenti Trump foli për mbështetjen e kësaj dhe për gatishmërinë e Amerikës për të marrë pjesë. Gjithashtu, midis parimeve të dakordësuara, Rusia nuk mund të ketë të drejtë vetoje mbi perspektivat evropiane dhe të NATO-s të Ukrainës”, tha Zelenskyy.
Pas bisedimeve të së premtes, Trump do të informojë së pari Zelensky-n, pastaj krerët e qeverive evropiane. (A2 Televizion)