Zyrat e bankës Edmond de Rothschild bastisen nga policia, shkak hetimet mbi diplomatin francez, mik me Epstein

Nga A2 CNN
24 Mars 2026, 18:34 | Bota

Zyrat e bankës Edmond de Rothschild bastisen nga policia, shkak hetimet mbi

Hetuesit francezë bastisën zyrat e bankës zvicerane Edmond de Rothschild në Paris si pjesë e një hetimi për korrupsion ndaj një diplomati të përmendur në dokumente të lidhura me të ndjerin Jeffrey Epstein, një pedofil i njohur amerikan, tha zyra e prokurorit financiar të martën.

Emri i Fabrice Aidan, një diplomat i rangut të mesëm francez që ishte i dërguar në Kombet e Bashkuara nga viti 2006 deri në 2013 dhe më pas punoi në bankë, u shfaq në më shumë se 200 dokumente të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së.

 Këto përfshijnë email-e që ai supozohet t’i ketë dërguar Epstein-it midis vitit 2010 dhe 2016 nga llogaritë e tij personale dhe ato të Kombeve të Bashkuara. Disa nga email-et e rishikuara, tregojnë transferimin e informacionit të mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit të KB-së dhe dokumenteve të tjera konfidenciale tek Epstein gjatë asaj periudhe.

Aidan ka mohuar çdo keqbërje.

Ministria e Jashtme franceze gjithashtu ka nisur një hetim administrativ dhe procedura disiplinore kundër Aidan. Ministria dhe avokati i Aidan nuk i janë përgjigjur menjëherë kërkesave për koment.

Bastisja u realizua të premten në praninë e Ariane de Rothschild, drejtoreshës së bankës zvicerane, tha një burim i afërt me bankën. Edmond de Rothschild po bashkëpunonte plotësisht me sistemin e drejtësisë në hetimin e udhëhequr nga prokurori financiar, tha ky burim, duke shtuar se një hetim ishte nisur sapo dyshimet për ish-punonjësin e bankës kishin lindur, i cili ka punuar në bankë nga viti 2014 deri në 2016.

Hetimi po kryhet nga oficerët e Zyrës Qendrore të Francës kundër korrupsionit dhe shkeljeve financiare dhe tatimore, të cilët pyetën Aidan në një intervistë në fund të shkurtit.

Ariane de Rothschild shfaqej gjithashtu në dosjet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së në janar, të cilat treguan se ajo kishte mbajtur një korrespondencë personale për vite me radhë me Epstein-in para arrestimit të tij në vitin 2019.

Pas publikimit të dosjeve, një zëdhënës i bankës tha se Epstein ishte një njohës i biznesit i de Rothschild nga viti 2013 deri në 2019. De Rothschild nuk kishte dijeni për veprimet e Epstein, tha zëdhënësi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos