Zyrtarisht nën akuzë për korrupsion, lirohen Mogherini dhe Sannino. Hetimet vijojnë

Nga Rosalba Bejdo
3 Dhjetor 2025, 13:51 | Bota

Ish-shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, dhe dy zyrtarë të tjerë të lartë, janë akuzuar zyrtarisht për mashtrim në prokurime, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional.

Lajmin e konfirmoi të mërkurën Zyra e Prokurorit Publik Evropian. Të tre personat u ndaluan të martën, në kuadër të një hetimi për abuzim me fonde të BE-së dhe janë liruar ndërkohë që hetimet po vijojnë, shkruan A2.

Sipas zyrës së prokurorit, ata nuk paraqesin rrezik arratisjeje. Mes të dyshuarve të tjerë është edhe diplomati i lartë, Stefano Sannino.

As Mogherini dhe as Sannino nuk kanë qenë të disponueshëm për koment. Zyra e prokurorit publik europian theksoi se të gjithë personat konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia të provohet nga gjykatat kompetente belge: “Pasi u morën në pyetje nga Policia Federale Gjyqësore Belge, tre individët u njoftuan zyrtarisht për akuzat kundër tyre. Akuzat përfshijnë “mashtrim dhe korrupsion në prokurim, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional”.

Arrestimet u kryen pas kontrolleve në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së në Bruksel, në Kolegjin e Evropës, një prej institucioneve më prestigjioze që formon elitat e ardhshme evropiane, si dhe në banesat e të dyshuarve. Federica Mogherini ka shërbyer si Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë nga viti 2014 deri në 2019 dhe prej vitit 2020 drejton Kolegjin e Evropës.

Sipas autoriteteve, hetimi lidhet me “dyshime për mashtrim në trajnime të financuara nga fondet e BE-së për diplomatët e rinj”.

Mogherini dhe Sannino, të dy me origjinë italiane, janë figura të njohura të rrethit diplomatik të Brukselit dhe lajmi i ndalimit të tyre ka shkaktuar tronditje në institucionet evropiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos