Dy mjekë nën akuzë për vdekjen e këngëtarit Mazonakis, çfarë u zbulua në telefonin e doktoreshës

Nga A2 CNN
11 Shtator 2026, 21:28 | Rajoni & Bota

Dy mjekë nën akuzë për vdekjen e këngëtarit

Dy mjekët e akuzuar për vdekjen e këngëtarit të njohur grek, Giorgos Mazonakis, pritet të dalin të hënës para gjykatës, ndërsa autoritetet po hetojnë se çfarë ka ndodhur në një klinikë private në Athinë para vdekjes së tij. Mjekët, të cilët drejtojnë klinikën në zonën e Kolonakit, përballen me akuza për vepër penale për rrezikim të jetës që ka sjellë vdekjen.

Sipas raportimeve të mediave greke, të cilat u referohen të dhënave të hetimit, mjeku telefonoi shërbimet e urgjencës në orën 16:21, duke raportuar se një 55-vjeçar mund të ishte pa shenja jetësore dhe se po i kryente reanimim kardiopulmonar.

Ekipet e urgjencës mbërritën disa minuta më vonë dhe, sipas raportimeve, e gjetën mjekun duke vijuar përpjekjet për reanimim.

Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu një fotografi të fshirë, e cila u rikuperua nga telefoni i mjekes. Sipas raportimeve, fotografia tregon Mazonakis të lidhur me një aparat plazmafereze. Po ashtu, po hetohen edhe të dhëna të fshira nga kalendari elektronik i takimeve të klinikës.

Të dhënat dixhitale tregojnë gjithashtu, sipas raportimeve, një kërkim online për informacion mbi mënyrën e rikthimit në jetë të një pacienti, ndërkohë që Mazonakis ndodhej ende në klinikë.

Autoritetet po përpiqen të rindërtojnë kronologjinë e ngjarjeve dhe të përcaktojnë se çfarë trajtimi mori këngëtari.

Një shofer taksie u ka thënë hetuesve se e kishte lënë Mazonakisin në klinikë rreth orës 13:55, ndërsa pamjet filmike dyshohet se tregojnë se ai ka hyrë në klinikë rreth orës 13:00. Njëri prej mjekëve kishte deklaruar fillimisht se këngëtari kishte mbërritur në orën 16:00.

Analizat toksikologjike dhe histologjike janë ende në pritje dhe pritet të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Ndërkohë, Shoqata Mjekësore e Athinës ka nisur procedurë disiplinore ndaj dy mjekëve, pas një inspektimi në klinikë. Ajo po shqyrton edhe masa administrative, përfshirë mundësinë e rekomandimit për pezullimin e licencave të tyre të ushtrimit të profesionit.

Familja e Mazonakis ka deklaruar se mund të kërkojë që akuzat penale ndaj mjekëve të rëndohen në akuzë për vrasje.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos