Me homazhe te varret e dëshmorëve dhe akademi përkutjimore, Kosova shënoi 26-vjetorin e Betejës së Koshares, apo thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar.
Kjo betejë, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.
“26 vjet më parë me Betejën e lavdishme të Koshares, Ushtria Çlirimtare e Kosovës me luftëtarë nga pothuajse të gjitha njësitet e zonave operative të saj e shembi kufirin që ndante shqiptarët, kufirin që ndante Kosovën nga Shqipëria e që ishte i vjetër që nga viti 1913, respektivisht 1918”, tha kryeministri Kurti.
Nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë dëshmorë 114 luftëtarë, me në krye komandantët Agim Ramadani dhe Sali Çekun, por pati edhe mbi 400 të plagosur. Ndërsa nga radhët e forcave serbe u vranë së paku 108 ushtarë e oficerë.
“26 vite me parë djemtë dhe vajzat më të mira të vendit nisen thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe me këtë nxitën dritën e parë të triumfit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci”, deklaroi Abdixhiku.
“Besoj që për të gjithë në është nder të jemi këtu, t'i kujtojmë, t'i nderojmë dhe t’i përjetësojmë jo vetëm në kujtime por edhe në punët që bëjmë të forcojmë lirinë e të forcojmë kombin”, tha kreu i AAK, Haradinaj.
Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte vullnetarë nga Franca, Algjeria, nga Italia, Suedia e Britania, ndërkaq në radhët e ushtrisë së Serbisë kishte mercenarë nga Rusia.
(A2 Televizion)
Beteja e Koshares, 26 vite më parë ra kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë
