"Defender Europe 2025” nis sot në Kosovë. 25 mijë ushtarë të përfshirë

Nga Tomorr Avdia
25 Maj 2025, 09:30 | Aktualitet

"Defender Europe 2025” nis sot në Kosovë. 25 mijë

Këtë të dielë në Kosovë do të nisë “Defender Europe 2025”, në ushtrim i madh ushtarak udhëhequr nga Ushtria e SHBA-së në Europë dhe Afrikë. Ky ushtrim ka për qëllim të demonstrojë aftësinë e NATO-s për të mbrojtur kufijtë e saj lindorë dhe për të forcuar gatishmërinë dhe bashkëpunimin ndërmjet aleatëve dhe partnerëve të saj.

Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë pjesëmarrëse në ushtrimin më të madh ndërkombëtar të drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë, shkruan A2.

Ai gjithashtu njoftoi se Kosova është shtet pritës i Shtabit të Divizionit të 28-të të Ushtrisë Amerikanë, si dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Në këtë ushtrim janë të angazhuar 25 mijë ushtarë nga 29 shtete pjesëmarrëse.

Këto ushtrime zhvillohen në 18 shtete, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Bullgarinë, Kroacinë, Çekinë, Finlandën, Greqinë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Norvegjinë, Poloninë, Rumaninë, Sllovakinë, Slloveninë dhe Suedinë.

Për dy javë, Kosova do të jetë mikpritëse e këtij ushtrimi ushtarak dhe Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se nga e hëna e deri më 9 qershor do ketë lëvizje të konvojeve nga bazat e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës.

“Forca e Sigurisë së Kosovës përmes ekzekutimit të këtij ushtrimi do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë”, ka thënë Ministria e Mbrojtjes në prag të nisjes së këtij ushtrimi, më i madhi ndërkombëtar i drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos