Rusia po vazhdon të luftojë Kosovën përmes narrativave që e nxjerrin Kosovën si shtet jofunksional ndërsa po kërkon t’i jap një dorë presidentit serb Aleksandër Vuçiç në betejën me protestat e studentëve.
Kjo u tha gjatë konferencës “Balkan Disinfo 2025” në panelin ku u diskutua rreth dezinformimit në Ballkan dhe ndikimi rus.
Kontestimi i shtetësisë së Kosovës është një nga narrativat kryesore të dezinformimit rus, ku Rusia, synon të minojë legjitimitetin e shtetësisë së Kosovës. Një pjesë e këtyre narrativave paraqet Kosovën si një “shtet mafioz” që vepron nën mbrojtjen e KFOR-it.
“Portretizimi i Kosovës si një faktor destabilizues në Ballkan për ta ngritur idenë se Kosova është një lloj kanceri i Ballkanit dhe është problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor, edhe disa narrativa që është shtet jolegjitim”, deklaroi Festim Rizanaj.
Rusia synon të ndikojë në Ballkanin Perëndimor edhe përmes narrativave të caktuara, që përfshijnë kryesisht mesazhe antiperëndimore, si ato antiSHBA, antiNATO dhe antiBE.
Moska përdor një analogji të qëllimshme dhe pa shpjeguar rrethanat e rasteve në mes agresionit të saj në Ukrainë dhe luftës në Kosovë, duke tërhequr paralele për të arsyetuar veprimet e saj.
Narrativa dezinformuese ruse përqendrohet në viktimizimin e pakicës serbe në Kosovë, duke përhapur pretendime të pabaza se ajo përballet me kërcënime serioze për sigurinë dhe pronën.
“Bëjnë krahasime të tilla që kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin e quajnë nazist sikurse Zelenskyn në Ukrainë, po ashtu janë prezantimet e tilla që ndërlidhen me persekutim të serbëve në Kosovë ashtu siç janë persekutuar rusët në zonën e Donbasit”, shton Rizanaj.
Rusia kërkon të mbështesë Vuçiçin të përballojë edhe presionin në rritje që po vjen nga protestat masive të studentëve në të gjithë Serbinë pas incidentit në Novi Sad.
Mesazhi që po shpërndahet, edhe përmes mediave ruse që operojnë në Serbi, është se Vuçiç është garantues i stabilitetit dhe paqes ndërsa protestuesit po bëjnë thirrje për luftë dhe për mjerim.
“Bashkimi Europian dhe SHBA nuk po reagojnë ndaj autoritarizmit në Serbi ndërsa njëkohësisht reagojnë kundër ndikimit të dëmshëm të Rusisë në Gjeorgji dhe Moldavi dhe dhuna e regjimit të Vuçiçit ndaj protestuesve në Serbi dhe përsëritja e narrativës së luftës kundër ‘revolucioneve me ngjyra’ e ka ekspozuar presidentin Vuçiç si lider pro rus”, tha gazetari Boris Varga.
Temat të tjera që u trajtuan në këtë konferencë ishin edhe dezinformimi transatlantik, dezinformimi në BE dhe shtetet baltike dhe roli i inteligjencës artificiale në dezinformim. (A2 Televizion)