I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të vizitojë këtë javë Prishtinën. Siç ka bërë të ditur Departamenti Amerikan i Shtetit, Escobar pritet të bisedojë me liderët e qeverisë së Kosovës për dialogun mes saj dhe Serbisë, si dhe për dinarin e ndalur serb.
Kosova është një nga ndalesat në turin europian të Escobar, i cili do të vizitojë edhe Belgjikën, Austrinë dhe Malin e Zi nga 10 deri më 18 mars. Ai pritet të jetë në Prishtinë ditën e mërkurë.
“Vizita e tij do ta ritheksojë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat e synojnë integrimin Euroatlantik dhe një bashkëpunim më të thellë rajonal”, tha Departamenti i Shtetit.
Escobar e viziton Kosovën në një kohë kur marrëdhëniet e zyrtarëve amerikanë me qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti duken të tensionuara për shkak të çështjes së dinarit serb, përdorimin e të cilit Banka Qendrore e Kosovës e ndaloi përmes një rregulloreje muajin e kaluar.
Muajin e kaluar, Escobar tha se lidershipi në Prishtinë nuk po e trajton SHBA-në si partnere, për shkak të mosdëgjimit të kërkesës amerikane për çështjen e dinarit serb.
“Ne jemi shumë të shqetësuar sepse qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, ata nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun, proces për të cilin SHBA-ja është e përkushtuar plotësisht”, u shpreh Escobar më 23 shkurt. (A2 Televizion)