Digjet lokali i nënkryetares së Zveçanit, Kurti: Grupet kriminale zgjodhën terrorin për 8 mars

Nga A2 CNN
8 Mars 2024, 20:19 | Aktualitet

''Elementët kriminale në veriun e Kosovës rizgjodhën dhunën, terrorin dhe sulmin, në ditën ndërkombëtare të gruas''. Kështu u shpreh kryeministri Albin Kurti, teksa dënoi djegien e lokalit të nënkryetares së Komunës së Zvecanit, Natasha Tomaniç më herët gjatë ditës. 

"Ky duket të jetë 'urimi' i tyre për 8 Mars për nënkryetaren Tomaniç dhe për të gjithë serbët që duan integrimin në Kosovë, çlirimin nga struktura kriminale që kërcënojnë dhe pavarësimin nga Beogradi zyrtar që i shantazhon", shkroi Kurti në rrjetin social Facebook.

Më herët gjatë ditës, Tomaniç bëri të ditur se një lokal në pronësi të saj u dogj në orët e para të së premtes. Veton Elshani, zëvendësdrejtor i policisë për rajonin e veriut, tha se zjarri “dyshohet se është shkaktuar qëllimisht ndërsa njoftoi nisjen e hetimeve. Tomaniç, që është nënkryetare e komunës së Zveçanit e cila funksionon sipas sistemit të Kosovës, tha se zjarrvënia nuk ishte “e rastësishme”, dhe lidhet me ndihmën që ajo u ka ofruar serbëve në veri për tu punësuar në institucionet e Kosovës. 

Ajo theksoi se aktivitetet e saj “nuk përshtaten” me Listën Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos